Transporti publik në kryeqytet është në prag të ndërprerjes, për shkak të përplasjeve financiare mes Ndërmarrjes së Transportit Publik, furnizuesit të derivateve “Pucko Petrol” dhe vetë Qytetit të Shkupit. Në pritje të një marrëveshjeje mes palëve, qytetarët e Shkupit mbeten në pasiguri. TV21 bisedoi me pronarin e Pucko Petroll, i cili tha se NQP u ka borxh 10 milionë euro. Asmir Jahoski për TV21 akuzoi Qytetin e Shkupit se nuk e menaxhon si duhet NQP-në dhe se janë zhytur në borxhe, por shtoi se nuk do ta ndërpresë furnizimin me naftë, që të mos pësojnë qytetarët. Nga ana tjetër pensionistët dhe nxënësit ankohen se sot ka pasur pritje të gjata të autobusëve.
-Në mëngjes kah ora 9 kishte e më pas shumë dobët.
-Sot shumë kemi pritur. Sa gjatë?
Ditëve të tjera a ka qenë në rregull?
-Kishte probleme këtë javë, por ishte më mirë sesa sot.
-Shumë na bën problem vonohemi vazhdimisht në shkollë, profesorët bezdisen, tha një nxënës për TV21.
-Asnjë gjë, do të rri në shtëpi, ku të shkoj në këmbë. Të kem të holla do të udhëtoj me taxi por nuk kam, do të rrijë në shtëpi.
-Autobusë kur ka, kur s’ka, nuk i dihet.
E sa kohë po prisni?
-Po 20 minuta, unë gjysmë orë, tha një pensionist për TV21.
