Gazetar: Avni Tahiri

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Pazarishte“ në Kumanovë, nuk kanë marrë pagat e tyre prej tre muajsh. Në vend që të marrin pagën e gushtit, ata ende presin pagën e qershorit. Përveç problemeve financiare, prej tre muajsh ata kanë mbetur edhe pa sigurim shëndetësor.

Paga e fundit, për muajin maj, sipas informatave u është paguar më 28 korrik, ndërsa sigurim shëndetësor kanë pasur vetëm për dy ditë. Që atëherë, shpenzimet për trajtime mjekësore, punëtoret e kësaj ndërmarrje thonë se i mbulojnë nga xhepi i tyre.  Drejtori i ndërmarrjes thotë problemet financiare janë të trashëguara.

“Problemi është i trashëguar. Ne jemi vetëm nëntë muaj në këtë ndërmarrje. Pagat janë marrë në rregull por tani nuk mundemi të lëshojmë vetëm dy paga. Po mungojnë të ardhura dhe numri i të punësuarve është i lartë. Po kërkohet zgjidhje për problemin e krijuar.” tha: Suat Zejnullahu – Drejtor i NP “Pazarishte“ në Kumanovë.

Në këtë ndërmarrje janë të punësuar 37 persona, ndërsa funksionimi i saj ndikon edhe te rreth 400 qiramarrës të tezgave. Punëtorët thonë se vonesat e pagave kanë ndikuar në cilësinë e shërbimeve dhe funksionimin e ndërmarrjes. Sipas informatave të siguruara nga Alsat, Ndërmarrja Publike “Pazarishte” në Kumanovë, funksionon me llogari të bllokuar dhe financa të kufizuara për shkak të borxheve./Alsat.mk

The post Tre muaj pa paga dhe pa sigurim shëndetësor, punëtorët e “Pazarishte” në Kumanovë presin zgjidhje appeared first on Alsat.