Pas tridhjetë vitesh rikthehet linjat e trenave urban në Shkup. Paria e shtetit mori pjesë në promovimin e linjës urbane, ku gjatë udhëtimit nga Zelenikova drejt stacionit qendror hekurudhorë paguan biletat.

Interesimi ishte i madh edhe i banorëve, të cilët e mirëpritën këtë tren urban, që do të lëvizë në 4 orare. Disa thonë se do tu kursej kohë, e disa rekomandojnë që tani edhe hekurudhat duhet të rinovohen.

 “Kur trenat i ndaluan ne udhëtonim vetëm me autobusë urban. Sa kohë ju duhej të udhëtonit?

Me transport urban më shumë se një orë, kurse tani me tren shkojmë për 20 minuta.”

 “Remonti fundit u bë në vitin 1974 ku kam marr pjesë edhe unë! Kur ishte stacioni i ri hekurudhorë dhe binarët e para i kemi punuar ne, tash duhet të përmirësohen. Mjaft ishte me vjetërsira!”, theksoi Ish-punëtor në hekurudha.

Edhe dy linja tjera janë në proces tha Sinisha Ivanovski, drejtori i “Hekurudhave të Maqedonisë – Infrastruktura”, që informoi se një nga linjat e mbetura do të shtrihet nga Volkovo, nëpërmjet Gjorçe Petrovit drejt Shkup Veriut deri në Stacionin hekurudhor në Shkup, me një gjatësi prej 18 kilometrash.

 “Nga qendra në Zelenikovë ka shumë pikë ndalesa si në Lisiçe, Draçevë, Jane Sandanski, Reshani, dhe Zelenikovë. Në të njëjtin aks kemi edhe 11 rrugë kalime andaj lus banorët që të kenë kujdes maksimal duke e respektuar sinjalistikën rrugore gjatë kalimit të hekurudhës”, deklaroi Sinisha Ivanovski, Drejtori i “Hekurudhave të Maqedonisë – Infrastrukturë” .

Ndërsa linja e dytë pritet të lidhë Milladinovcin, Ilindenin dhe Maxharin me Stacionin Hekurudhor të Shkupit, dhe gjatësia e saj do të jetë 20 kilometra. Këto dy linja pritet të lëshohen nga fillimi i 2028-ës tha Ministri i Transportit Aleksandër Nikollovski, i cili thotë se Shkupin do ta kthejnë në metropol.

 “Ky është fillimi i realizimit të një vizioni që duhet të nënkuptojë transport publik shumë më efikas, mbrojtje më të madhe të mjedisit, ulje të ndotjes dhe lëvizshmëri më të madhe për banorët e Qytetit të Shkupit dhe të gjitha komunave që gravitojnë rreth tij”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit .

Nga Zelenikova deri në Shkup kishte paragonë betoni që nga viti 1959-1963, gjendja e hekurudhës ishte jashtëzakonisht e rrënuar dhe për shkak të kësaj ishte e ngadaltë për të udhëtuar. Përderisa trenat e vjetër kanë lëvizur me 20-40km/h tani me rikonstruime këta të rinjtë do të lëvizin deri në 80-100km/h.