Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja të paprecedenta nëse ndërmerr një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe përdorimin e një të ashtuquajture “bombë të pistë”.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve të CNN-it, sipas të cilave inteligjenca amerikane ka identifikuar informacione se Irani mund të jetë duke shqyrtuar mundësinë e një sulmi në kryeqytetin amerikan, me përdorimin e një bombe të pistë ose armëve kimike.
I pyetur nga gazetarët në Manila nëse Teherani po planifikon një sulm të tillë, Trump tha se autoritetet amerikane po i shqyrtojnë këto informacione.
“Nëse ekziston një plan i tillë, ata do të paguajnë një çmim që asnjë vend nuk e ka paguar ndonjëherë më parë”, deklaroi Trump, duke shtuar se shpreson që një sulm i tillë të mos jetë në përgatitje.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka kërcënime të besueshme dhe të menjëhershme ndaj territorit amerikan.
Nga ana tjetër, Irani ka mohuar pretendimet e publikuara në mediat amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane i ka cilësuar raportimet si të pabaza, duke pretenduar se ato synojnë të krijojnë justifikime për veprime të mëtejshme kundër Teheranit.
Sipas CNN-it, informacionet e inteligjencës amerikane flasin për shqyrtimin e mundësive të një sulmi, por jo për një vendim të konfirmuar të Iranit për të ndërmarrë një operacion të tillë.
