Bashkimi Evropian shpreh mbështetje për Ukrainën pas sulmit ndaj Urës së Kerch-it, që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë.
Një zyrtar i lartë evropian, në një deklaratë për agjencinë italiane ANSA, ka thënë se Ukraina ka të drejtë ta godasë këtë urë, pasi ajo përbën një rrugë të rëndësishme furnizimi për trupat ruse.
Sipas tij, ura ka jo vetëm rëndësi strategjike për Moskën, por edhe vlerë të madhe simbolike.
Zyrtari e cilësoi operacionin si një demonstrim të fuqisë ushtarake në rritje dhe të kapaciteteve të Ukrainës për të goditur objektiva në distancë.
Sulmi, që shkaktoi shembjen e një pjese të urës, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, për shkak të rëndësisë strategjike dhe politike që ka Krimea në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.
