Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë vitit të kaluar ka raportuar më shumë se 1.4 miliardë dollarë të ardhura nga investimet në kriptovaluta të familjes së tij, raportojnë mediat britanike.
Deklaratat financiare për vitin 2025, të dorëzuara në Zyrën Amerikane për Etikë në Qeveri, tregojnë se kompanitë e tij kanë përfituar afro 800 milionë dollarë nga projekti kripto World Liberty Financial, i cili u themelua së bashku me djemtë e tij. Këto të ardhura përfshijnë mbi 520 milionë dollarë nga shitja e tokenëve kripto dhe më shumë se 250 milionë dollarë nga shitja e një pjese të aksioneve në projekt.
Trump ka deklaruar gjithashtu edhe 635 milionë dollarë të ardhura nga shitja e monedhës së tij meme $TRUMP.
Sipas mediave britanike, kriptovalutat kanë transformuar pasurinë e Trumpit. Vetëm një vit më parë, shitja e tokenëve të World Liberty vlerësohej në 57.35 milionë dollarë, ndërsa në raportin e këtij viti kjo shumë është rritur rreth nëntë herë.
Ndërkohë, një agjenci vlerësimi ka llogaritur se familja Trump ka fituar të paktën 2.3 miliardë dollarë nga projektet e lidhura me kriptovalutat që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
Presidenti amerikan ka raportuar edhe mbi 80 milionë dollarë
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, mohoi se ekziston konflikt interesi mes Trumpit dhe familjes së tij.
“Presidenti Trump i ka bërë Shtetet e Bashkuara kryeqytetin botëror të kriptovalutave përmes veprimeve të tij ekzekutive. Të gjitha vendimet e tij dhe të administratës janë marrë në interesin më të mirë të popullit amerikan. Pretendimet për të kundërtën janë pjesë e një narrative të vjetër dhe të rreme që promovojnë demokratët dhe mediat tradicionale”, deklaroi Kelly.
Përveç kriptovalutave, Trump vazhdon të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme edhe nga bizneset e tij tradicionale, veçanërisht nga fushat e golfit dhe resortet, të cilat gjatë vitit të kaluar i sollën mbi 500 milionë dollarë.
