Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Rusia duhet të arrijë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë.
Trumpi ka thënë se ka zhvilluar një takim “shumë të mirë” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe njoftoi se dy liderët do të takohen sërish më vonë gjatë ditës.
Duke folur para gazetarëve në Francë ku po mbahet Samiti i G7-s, Trumpi theksoi nevojën për arritjen e një marrëveshjeje mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund konfliktit.
“Rusia duhet të bëjë një marrëveshje. Ajo ka humbur një numër të jashtëzakonshëm njerëzish, ashtu si edhe Ukraina. Vetëm muajin e kaluar, të dyja palët humbën rreth 35 mijë ushtarë. Mesatarisht, humbjet arrijnë në 25 mijë persona në muaj, kryesisht ushtarë të rinj”, ka thënë Trumpi.
Presidenti amerikan shtoi se bisedimet janë në vazhdim dhe se ai ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me presidentin rus Vladimir Putin të dielën.
Sipas Trumpit, marrëdhëniet mes liderëve të Rusisë dhe Ukrainës mbeten të tensionuara.
“Ka shumë mosmarrëveshje dhe pakënaqësi mes dy liderëve”, ka shtuar ai, duke lënë të kuptohet se sfidat për arritjen e një marrëveshjeje mbeten të mëdha.
Takimi i dytë mes Trumpit dhe Zelenskyt pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës.
