Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se beson që lufta në Iran po i afrohet fundit, sipas pjesëve të publikuara paraprakisht nga një intervistë për Fox News.

“Unë mendoj se është afër fundit. Po. E shoh si diçka që është shumë pranë përfundimit,” ka thënë Trump, sipas komenteve që gazetarja Maria Bartiromo publikoi në rrjetin social X.

Trump shtoi se nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen tani, Iranit do t’i duheshin rreth 20 vjet për t’u rindërtuar.

“Dhe nuk kemi mbaruar ende. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai, duke shtuar se beson që Irani është i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje.

Më herët, ai dha deklarata të paqarta për një raund të ri të mundshëm negociatash, ndërkohë që aktualisht është në fuqi një armëpushim dyjavor në konflikt, raportoi Deutsche Presse-Agentur (DPA).

“Diçka mund të ndodhë në dy ditët e ardhshme në Islamabad”, deklaroi Trump në një intervistë telefonike për New York Post, pa dhënë detaje shtesë.

Raundi i parë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit në kryeqytetin e Pakistanit përfundoi pa marrëveshje fundjavën e kaluar.