Për herë të parë në Shkup hapet panairi i librit shqip.
55 botues nga Maqedonia Kosova dhe Shqipëria, duke nisur prej sot e deri më 7 qershor, do të jenë në sheshin “Skënderbeu” me tituj të larmishëm librash.
“Gjuha jonë sa e mirë” është motoja e këtij panairi, tregoi Irena Toçi, drejtore ekzekutive e Institutit të Librit, duke theksuar se panairi i Tiranës, Prishtinës, Ulqinit dhe Shkupit përbën një mozaik që tregon fuqinë e gjuhës sonë.
“Të gjithë bashkë do t’ia dalim, do ta mbrojmë këtë gjuhë dhe do ta çojmë atë në nivele ë tjera. Instituti i librit dhe promocionit së bashku me komunën vendosën që këtë panair ta kthejnë në një traditë”, tha Irena Toçi, drejtore ekzekutive e Institutit të Librit.
Publicisti Namik Dokle tha se ky panair nuk ka vlerë vetëm për shkrimtarët dhe botuesit, por është një vlerë kombëtare.
“Autor botues dhe lexues është një trio e pandarë dhe ajo mund të funksionojë vetëm si e tillë. Ndërkohë mendoj që përveç se është festë e librit festa e autorëve dhe botuesve, festë e shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë sonë është edhe festë e gjuhës shqipe”, theksoi Namik Dokle, publicist.
Shkrimtari Ali Aliu, porositi që këtë manifestim ta duan të gjithë dhe ta kultivojnë, pasi deri tani ka munguar prania e librit në Shkup.
“Është vërtetë çast historik, sepse i mungonte një panair i tillë. Mungonte pranimi i librit Shkupit që tani do të jetë në shoqëri të barabartë me panairin ndërkombëtar të Tiranës dhe panairin ndërkombëtar të Prishtinës”, theksoi Ali Ali, shkrimtar.
Në hapjen solemne i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili bëri të ditur se ky panair do të bëhet traditë e përhershme kulturore që do të rritet vit pas viti.
“Ky panair përveç se është një ngjarje e madhe kulturore është dëshmi se gjuha shqipe vazhdon të jetojë të krijojë dhe të pasurohet. Në të njëjtën kohë është një shprehje e fuqisë së fjalës shqipe e cila vazhdon të kapërcejë kohën dhe kufijtë”, u shpreh Izet Mexhiti, kryetar i Çairit.
Në ditën e fundit të këtij panairi do të ndahen edhe çmime letrare.
