Po del në nga gjykata me pranga në duar. E përcjellë nga efektivët e policës drejtoresha e NP Komunalec Gostivar Artana Asani, i njoftoi familjarët së është mirë:

“Mirë jam, mirë jam”

Pas saj dolën dy të dyshuarit e tjerë, Leon Nuredini dhe Vadedin Dervishi. Edhe familjarët e tyre përpiqeshin t’i komunikojnë derisa ata po hynin në veturën e policisë.

Tre të arrestuarit në hetimin për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar të dyshuar për vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, do të mbahen në paraburgim për 30 ditë. Vendimin e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore Publike.

“Në propozim janë paraqitur arsyet për caktimin e paraburgimit, për shkak të dënimit të paraparë për veprën penale për të cilën dyshohen, pasi bëhet fjalë për vepër për të cilën është paraparë sanksion penal prej së paku katër vitesh.
Gjithashtu, nëse të dyshuarit do të lihen të mbrohen në liri, ekziston rrezik i madh që ata të arratisen dhe të ndikojnë te dëshmitarët të cilët duhet të merren në pyetje gjatë procedurës hetimore.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Mihajlovski, e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Publike dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për secilin nga të dyshuarit”, tha Dragoslava Veselinova.

Pasi i morën, veturat e policisë u nisën për në Shkup, ku të dyshuarit do ta vuajnë paraburgimin.
Hetimi për rastin vazhdon, ndërsa Prokuroria pritet të ndërmarrë edhe veprime të tjera për zbardhjen e plotë.