Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se të gjithë personat e përfshirë në rastin me ujin në Gostivar do të mbajnë përgjegjësi ligjore nëse konstatohet shkelje e ligjit ose mosveprim brenda kompetencave të tyre. Ai njoftoi se deri tani janë marrë në pyetje disa persona dhe hetimi po zgjerohet.
Ndërkohë, kryetari i Gostivarit, Valbon Limani, tha se situata në qytet po qetësohet, si në aspektin epidemiologjik ashtu edhe me furnizimin me ujë. Ai bëri të ditur se Komunaleci i Gostivarit po bashkëpunon me ekipe dhe ekspertë nga Ndërmarrja e Ujësjellësit të Shkupit për normalizimin e gjendjes. Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, tha se në përballimin e situatës në Gostivar kanë reaguar si pushteti qendror ashtu edhe komunat, duke ofruar ujë, shërbime dhe mbështetje profesionale pa dallime politike apo etnike.

“Secili që ka gabuar duhet të japë përgjegjësi, si mësim për të gjithë të tjerët, që të mendojnë dy herë se çfarë do të bëjnë në jetën e tyre më tej, veçanërisht kur bëhet fjalë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Maqedonisë, të çdo maqedonasi, vllahu, turku, shqiptari, romi, serbi, boshnjaku dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në shtetin tonë”, tha Toshkovski.

“Situata në qytet është duke u qetësuar edhe në aspekt epidemisë e cila ishte prezentë por edhe në aspekt të furnizimit me ujë. Në ditët në vijim, veçmë ka filluar bashkëpunimi i NP Komunalec të Gostivarit me ekspert dhe ekipin nga NP q Qytetit të Shkupit. Janë marr të gjitha aktivitetet dhe shpresoj që së shpejti në Gostivar do të kemi qasje për ujë për përdorim të përditshëm dhe për disa ditë edhe ujë të pijshëm”, tha Limani.

“Në këtë gjendje në të cilën është Gostivari, si pushteti qendror edhe komunat kanë reaguar për ta normalizuar gjendjen. Dikush me ujë teknik, dikush me ujë për pije, dikush me shërbime profesionale, si Qyteti i Shkupit me Ndërmarrjen për ujësjellës dhe kanalizim.
Të gjithë janë në funksion pa marrë parasysh linjat partiake, etnike e fetare. Këtu jemi për të dhënë kontribut për ta normalizuar gjendjen në Gostivar”, deklaroi Mexhiti