Ushtria siriane njoftoi sot se ka përfunduar kontrollin e sigurisë në lagjen Sheikh Maksud në Alepo, në veri të vendit, ndërsa janë arrestuar disa anëtarë të Forcave Demokratike Siriane (SDF).

Sipas mediave siriane, duke u bazuar në burime ushtarake, në lagje janë arrestuar numër i madh anëtarësh të SDF-së, dhe është konfiskuar armë e rëndë dhe e mesme, si dhe sasi të mëdha municioni, armë të lehta dhe pajisje shpërthyese të improvizuara.

Në një deklaratë, ushtria ka apeluar tek banorët e lagjes Sheikh Maksud të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të fshehjes së supozuar të anëtarëve të SDF-së dhe Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK).

Zëdhënësi i Ministrisë siriane për Çështje Fetare, Ahmed Halak, njoftoi se ministria ka marrë masa të menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë personave të zhvendosur në Alepo.

Në një postim në rrjetin social X, ai deklaroi se Drejtoria për Çështje Fetare në Alepo, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka hapur më shumë se 20 xhami dhe i ka përgatitur për të pranuar mbi 400 familje të zhvendosura, duke u siguruar strehim dhe nevojat bazë.

Përfaqësuesi i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, tha se ka diskutuar për ngjarjet e fundit në Siri me ministrin jordanez të Punëve të Jashtme, Ayman Safadi.

Barrack theksoi se gjatë bisedës është konfirmuar angazhimi për mbështetjen e përpjekjeve për armëpushim në Alepo, sigurimin e tërheqjes paqësore të forcave të SDF-së, si dhe vazhdimin e zbatimit të planit për zgjidhjen e krizës në provincën Sweida në jug të Sirisë, me qëllim arritjen e stabilitetit.

Ushtria siriane kishte njoftuar më parë se do të nisë operacionin e sigurisë për pastrimin e forcave kurde nga lagja Sheikh Maksud në Alepo, pasi grupet kurde refuzuan kërkesën e qeverisë siriane për të tërhequr luftëtarët e tyre nga zona.

Zyrtarët thanë se ushtria do ta pastronte me forcë lagjen Sheikh Maksud, pjesë e Alepos që kontrollohet nga forcat kurde, pas dështimit të armëpushimit në Alepo. Përleshjet ndodhin në kushtet e një bllokimi në bisedimet politike midis Damaskut dhe SDF-së, të cilët kontrollojnë pjesën verio-lindore të vendit dhe kishin nënshkruar më parë një marrëveshje bashkimi me ushtrinë siriane në mars 2025.