Ajo tha se i qëndron prapa deklaratave të mëhershme se duhet të bëhet hapja e Urës së Ibrit, porse duhet të bëhet në koordinim me SHBA-në dhe NATO-n.

Osmani potencoi se kjo urë nuk është dashur të mbyllej kurrë, por duhet siguruar që kur të hapet të mbetet ashtu. Ndërkaq, deklarimet nga zëdhënësit e Bashkimit Evropian, Peter Stano, Osmani i quan raciste.

Osmani: Ura patjetër duhet të hapet, s’kemi çka e pyesim Serbinë

“Paqja dhe siguria është çështje globale, nuk është individuale, nuk është vetëm e jona. Afekton paqen dhe sigurinë shumë më gjerë…Në takimet e mia me SHBA-të asnjëherë nuk është thënë që janë kundër hapjes së urës. Përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraparë hapjen e urës…Ajo urë nuk është dashur të mbyllej kurrë, ajo urë është mbyllur për arsye komplet politike. Ura patjetër duhet të hapet. Por ne duhet të sigurohemi që kur hapet, mbetet e hapur. E jo që kur hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të…Ne nuk kemi arsye që të kemi konflikte me aleatët tanë. Ata na kanë shpëtuar…Sa i përket Bashkimit Evropian deklarata e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste. As nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime…Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoi në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë. Dialog me Serbinë për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush”, deklaroi Osmani.

Ndër të tjera, presidentja Osmani u pyet edhe rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve, për çka tha se nesër do të bëhen vlerësimet e fundit se kur është koha më e përshtatshme.

Ajo tha se ka pranuar me shkrim nga kryetari i LVV-së, njëkohësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti datën e preferuar sipas tyre për mbajtjen e zgjedhjeve .

Osmani: Kam pranuar me shkrim nga Kurti datën e preferuar për zgjedhje

“S’po e bëjë të ditur sot datën. Megjithatë iu kemi dhënë partive kohë deri në fund të kësaj jave që në qoftë se e kanë ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë, ta ngrisim atë…Do të kemi kohë deri nesër në fund të orarit për të dëgjuar nëse kanë mendime shtesë. Pasi të përfundon orari nesër ulemi, dëgjoj vlerësimet e kabinetit tim, ekipës ligjore. Ata i kanë çështjet që janë ngritur nga të gjitha partitë. Por, në fund është diskrecion i institucionit të presidencës për ta zgjedhë datën. Nuk besoj që ka ndonjë dallim një javë më shumë një javë më pak. Nuk besoj që bën ndonjë diferencë të madhe…Kemi njoftuar publikun para dy ditësh që kryetari i LVV-së, njëkohësisht kryeministër më ka njoftuar me shkrim lidhur me datën e preferuar të LVV-së”, tha Osmani.

Këto deklarime Osmani i bëri në komunën e Vitisë, me ç’rast u prit nga kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.