Është regjistruar një rast i ri fatal nga ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në katër numrin e viktimave nga kjo sëmundje në Maqedoninë e Veriut. Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, bëri të ditur se pacienti kishte qenë i hospitalizuar për 27 ditë.

“Në orët e pasdites së djeshme u regjistrua edhe viktima e katërt nga Ethet e Nilit Perëndimor, bëhet fjalë për pacientin 76 vjeç i cili kishte formë akute të ndezjes së trurit dhe cipave të trurit dhe te ky pacient ishte i konfirmuar në mënyrë laboratorike forma neuro-invazive e Edheve të Nilit Perëndimor”, deklaroi Cana.

Pesë pacientë me një pasqyrë më të rëndë klinike janë në kujdes intensiv dhe po trajtohen sipas të gjitha protokolleve spitalore, tha Cana. Gjatë ditës së sotme janë shtruar në klinikë edhe dy pacientë të rinj. Dje u vërtetua që pacientja 25 vjeçja që klinikisht udhëhiqej si e dyshuar, u vërtetua forma neuroinvazive e infeksionit virusal. Ndërkohë, dje u hospitalizua pacienti 24-vjeçar që udhëhiqet si rast i dyshuar dhe deri nesër do të shohim edhe te ai nëse vërtetohet diagnoza klinike.

“Në bazë të gjitha hulumtimeve dhe studimeve të deritanishme dhe ajo që dihet botërisht për Ethet e Nilit Perëndimor, veç 1% nga të infektuarit mund të manifestoj formën neuro-invazive të sëmundjes. Në Klinikën për sëmundje infektive janë të hospitalizuar vetëm pacientët që kanë manifestime të formës neuroinvazive të sëmundjes”, tha Cana.

Sëmundja transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Më të rrezikuar nga format e rënda janë personat mbi 60 vjeç, ata me imunitet të dobësuar dhe personat me sëmundje kronike. Autoritetet rekomandojnë përdorimin e repelentëve, veshje që mbulojnë trupin dhe largimin e ujit të ndenjur, ku shumohen mushkonjat. Në rast temperature të lartë, dhimbje të forta koke, bllokimi të qafës ose konfuzioni, rekomandohet kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore.