Shumë të rëndësishme dhe në momentet më vendimtare për Ballkanin e ka cilësuar vizitën e shefit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA) në rajon, njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu.

Në “Interaktiv” të KTV-së të premten, Baraliu ka thënë se vizita e William Burnsit ka ardhur në momentin e duhur për t’u treguar eksponentëve që duan destabilizim në Ballkan që politikat e tyre janë të papranueshme.

“Ardhja s’është as e rastësishëm e as e parëndësishme. Shumë e rëndësishme dhe në momentet më vendimtare për t’iu treguar këtyre eksponentëve që haptazi jo këto ditë javë e muaj, po me vite të tëra udhëheqin politika të papranueshme në botën e shekullit 21 dhe haptazi kërcënojnë çdo ditë dhe veprojnë në mënyrë diskrete e edhe të hapur. Kërcënimet e Serbisë dhe të kësaj eksponence të (presidentit serb Aleksandar) Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij janë të hapura dhe rrezik potencial për sigurinë e Evropës dhe jo vetëm të Ballkanit”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, takimet e menjëhershme të presidentit serb me udhëheqin serb në Bosnje, ambasadorin rus në Serbi, janë dëshmi të “shqetësimit të Beogradit” dhe “informimit të Moskës se çka po ndodh”.
Ai ka thënë se rëndësia e CIA-s është vërtetuar me dekada me veprimet në paralajmërimin dhe parandalimin e ecurive të sigurisë e rreziqeve të ndryshme në botë.

Sipas tij, vizita në Beograd e Banjallukë ka qenë tërheqje e vërejtjes për politikanët e atjeshëm. Për vizitën e Burnsit në Kosovë, Baraliu ka thënë se është sinjal që Kosova duhet të ngrihet në të gjitha kapacitetet e saj për të parandaluar çfarëdo ngjarje të rreziqeve sa i përket sigurisë. Ai ka vlerësuar se ardhja e Burnsit ka të bëjë kryesisht me planin serb dhe atë rus.

“… Me parandalimin e ndikimit dhe tërheqjen e vëmendjes Serbisë dhe (liderit serb në Bosnjë e Hercegovinë, Millorda) Dodikut, tentakulave të Serbisë në Mal të Zi dhe Bosnje, Maqedoni dhe kudo tjetër për të treguar që s’ju del mirë e duhet ndalur. Kjo është e rëndësishme dhe është përnjëmend parandaluese dhe historike”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Baraliu e ka vlerësuar të çuditshme deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit se po ndërtohet bashkëpunim strategjik me Serbinë.

Deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti pas takimeve me Burnsin ai i ka parë si mesazh për Kosovën që ajo “duhet ta ndjekë të vetmen rrugë dhe është realitet dhe imperativ dhe kjo është rruga e bashkëpunimit, koordinimit dhe fuqizimit të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në”.

“Ne nuk kemi rrugëdalje tjetër”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë me interes vital dhe me interes të dyfishtë e strategjik.

Për planin e Qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, Baraliu ka thënë se pas vizitës së Burnsit “edhe kjo Qeveri duhet ta ketë kuptuar që duhet pritet një moment tjetër e të mos shkohet në kundërshtim”.