Pasi ambasadori i BE-së Rokas deklaroi se zyrës së BE-së në Maqedoni i figuron se kanalizimi në Zajaz është projekt i përfunduar, por që në fakt në terren punët nuk e tregojnë këtë, partia në pushtet VLEN doli me akuza të ashpra ndaj BDI-së, kuadro të së cilës kanë udhëhequr me komunën e Kërçovës kur ka nisur projekti. Kjo, sipas VLEN-it, përbën një nga skandalet më të rënda që lidhen me menaxhimin e fondeve evropiane në Kërçovë.
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas, dje u tha gazetarëve se Zyrës së Bashkimit Europian në Maqedoni i figuron se kanalizimi nga Zajazi deri në Kërçovë ka përfunduar në vitin 2024. Pa hyrë në detaje për këtë çështje tha se duhet të mbahet mbledhje teknike për të parë nëse mund të ketë ri-financim të projektit.
Kujtojmë se punimet për rrjetin e kanalizimit u ndërprenë në gjysmë pasi kompania dhe banka nga Azerbajxhani të cilat kishin tenderin bankrotuan, me çrast u bllokua puna e këtij kanalizimi. Për rrjetin e kanalizimit nga Zajazi në Drugovë të Kërçovës kanë qenë të ndara 19 milionë euro mjete të fituara nga fondet IPA nga të cilat, sipas informacioneve, 3 milionë janë shfrytëzuar, ndërkaq mbi 15 milionë janë tërhequr nga financuesit e projektit IPARD.
