Gazetare: Ajnur Bafqari
VLEN drejton gishtin kah Talat Xhaferi e BDI, lidhur me jurisprudencën vetëm në maqedonisht. Ata thonë se organizimi i këtij provimi, zhvillohet mbi bazën e ligjit të miratuar në vitin 2019, në kohën kur BDI ishte në pushtet, ndërsa Talat Xhaferi kryeparlamentar. Lidhur me këto pretendime, kanë publikuar edhe një dokument duke nënvizuar se, pikërisht Xhaferi e ka vulosur përjashtimin e shqipes nga provimi i jurisprudencës.
(foto dokument)
“Dokumenti i datës 27 gusht 2019, i nënshkruar nga Talat Xhaferi, është dëshmi e qartë se problemi rreth provimit të jurisprudencës nuk është rastësi, por pasojë e neglizhencës dhe tradhtisë politike. Edhe më dëshpërues është fakti se ky ligj u votua me Badenter, pra edhe me votat e deputetëve shqiptarë të asaj përbërje. Ata e votuan ligjin, duke i lënë sot qindra studentë shqiptarë të vuajnë pasojat e një padrejtësie të dyfishtë. Sot, ata derdhin lot krokodili dhe dalin në mbrojtje, por dokumentet flasin qartë: ky problem mban vulën e Talat Xhaferit dhe të politikës së tyre”, thanë nga VLEN.
*Problemi me provimin është pasojë e neglizhencës dhe tradhtisë politike
*Dëshpërues fakti që ligji u votua me Badenter
Sot derdhin lot krokodili, por dokumentet flasin qartë: problemi mban vulën e Xhaferit
Ndërkohë edhe juristi, Miralem Asani, në një intervistë për Alsat, deklaroi se qeveria e atëhershme kishte bërë një lëshim të madh në këtë drejtim, duke nënvizuar se çështja mund të zgjidhej me intervenim të një neni në ligjin për provimin e jurisprudencës, i cili ishte miratuar rreth 9 muaj pas ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Aty është bërë një lëshim i madh Ligji për përdorimin e gjuhëve ka ardhur më 14 janar 2019, ndërsa ligji për provimin e jurisprudencës ka dalë në Gazetën Zyrtare më 11 shtator 2019, dikun 8-9 muaj pas. Pra ligji i jurisprudencës është pas ligjit për përdorimin e gjuhëve…Meqë neve na kanë futur në 20 përqindësh. Nuk është cekë askund dhe këtu nuk ka, në asnjë normë të ligjit nuk shkruan se në cilën gjuhë mbahet provimi.
-Pra, shumë lehtë mund të zgjidhej me ligjin për jurisprudencë pas miratimit të ligjit për gjuhët?
-Shumë në rregull, është dashtë të ketë një nen edhe për gjuhët, për shembull provimi i jurisprudencës mund të mbahet në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën e së paku 20 përqind, ashtu siç është në kushtetutë dhe në ligjin për përdorimin e gjuhëve”, deklaroi Miralem Asani, jurist.
Studentët shqiptarë protestuan para Ministrisë së drejtësisë duke kërkuar të drejtën e tyre për provimin në shqip të jurisprudencës. Ndërkohë autoritetet njoftuan se është formuar grup i punës për zgjidhjen e kësaj çështjeje./Alsat.mk.
The post VLEN drejton gishtin kah Talat Xhaferi e BDI, lidhur me jurisprudencën vetëm në maqedonisht appeared first on Alsat.
