Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt Kuvendi themelues i VLEN-it, ku drejtuesit e partisë vlerësuan se ky është një hap i rëndësishëm në procesin e bashkimit dhe konsolidimit të subjektit politik, transmeton TV21. Nga Kuvendi u dërgua mesazhi se VLEN hyn në një fazë të re të funksionimit me organizim më të fuqishëm dhe angazhim të shtuar për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve në nivel qendror dhe lokal.

Bashkëkryetarët Kasami dhe Mexhiti theksuan se VLEN hyn në një fazë të re të organizimit politik.

“Sot po ndërmarrim një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin historik për bashkimin dhe konsolidimin e VLEN-it”, tha Kasami.

“Ky Kuvend themelues paraqet hapin e radhës drejt konsolidimit dhe fuqizimit të VLEN-it si subjekt politik i shqiptarëve”, deklaroi Mexhiti.