VLEN pretendon se brenda BDI-së ka përplasje mes Ali Ahmetit, Bujar Osmanit dhe Artan Grubit. Përmes një komunikate, VLEN thotë se Osmani po kërkon tërheqjen e Ahmetit për ta rikthyer BDI-në si një opozitë konkurruese, ndërsa Ahmeti, sipas VLEN-it, po përpiqet të thellojë konfliktin mes Osmanit dhe Grubit, veçanërisht përmes qëndrimit të partisë ndaj aktakuzës për “Lotarinë Shtetërore”. Sipas VLEN-it, Grubi përmes mbështetësve të tij ka nisur të dërgojë mesazhe publike, ndërsa pretendon se ai mund të ketë informacione që mund të ndikojnë në fatin e drejtuesve të BDI-së.

“Prandaj në Reçicë të Vogël nuk flenë të qetë. Disa kanë frikë nga ajo që di Artani, të tjerë nga ajo që mund të thotë, ndërsa të tretët tashmë llogarisin se kë do ta tërheqë me vete. BDI-ja prej kohësh nuk funksionon vetëm si parti politike, por si një bandë politike, interesi kryesor i së cilës janë tenderët dhe shpëtimi i lëkurës së vet. Të drejtat e shqiptarëve janë vetëm “alibi e përsosur” për këtë udhëheqje të pareformuar të BDI-së, qëllimi i vetëm i së cilës është të mbrojë pasurinë e krijuar përmes korrupsionit dhe hajdutërisë”, thonë nga VLEN.

Këto pretendime të VLEN-it nuk kanë marrë kundërpërgjigje direkte nga BDI, por në një status të gjatë në Facebook, nënkryetari i integristëve Bujar Osmani, i bën një analizë të thellë VLEN-it, duke e quajtur si koalicion të ndërtuar nga subjekte me interesa dhe ideologji të ndryshme, i bashkuar kryesisht nga kundërshtimi ndaj BDI-së dhe pa një vizion e qendër të përbashkët vendimmarrjeje. Sipas Osmanit, pas hyrjes në Qeveri, VMRO-DPMNE-ja është shndërruar në arbitër të marrëdhënieve brenda VLEN-it, duke bërë që komponentët e tij të ndërtojnë lidhje individuale me partnerin maqedonas në vend të bashkëpunimit mes tyre.

VMRO-DPMNE-ja u bë arbitri mes pjesëve të Vlen-it: kush do të merrte ministri, kush drejtori, kush do të mbrohej dhe kush mund të zëvendësohej. Kështu, secili grup ndërtoi një lidhje më të fortë me VMRO-DPMNE-në sesa me partnerët e vet brenda Vlen-it. Nga ai moment filloi gara e bindjes. Secili e di se kundërshtimi mund t’i kushtojë postet dhe se vendin e tij mund ta zërë menjëherë grupi tjetër. Prandaj, heterogjeniteti i Vlen-it është mekanizmi përmes të cilit ai kontrollohet”, ka shkruar Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Si përfundim, VLEN akuzon udhëheqjen e BDI-së për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, ndërsa Osmani pretendon se VLEN ka dobësuar përfaqësimin politik të shqiptarëve, duke mundësuar një orientim kryesisht maqedonas të institucioneve dhe politikave të Qeverisë.