Jeton Shasivari – Ministër i Drejtësisë, Agon Ferati ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Sedat Sulejmani ministër i Kulturës dhe i Turizmit. Këta janë tre emrat që VLEN i kumtoi mbrëmë vonë pas mbledhjes së Presidencës partiake, në kuadër të procesit të rikonstruimit të Qeverisë. Për ta, figurat  e prezantuara pritet të sjellin energji të re dhe qasje profesionale në qeverisje.

“Me këtë ekip VLEN konfirmon një gjithëpërfshirje, hapje ndaj kuadrave më kualitativ në shoqërinë tonë për një dinamik të re në implemeinti8min ne premtimeve programore dhe zgjedhore krejt kjo në funksion dhe në interes të qytetarëve dhe votuesit”, tha Izet Mexhiti -VLEN.

Emrat e propozuar për poste ministrore kanë profile të ndryshme akademike, politike dhe profesionale.

Jeton Shasivari, i propozuar për Ministër të Drejtësisë, është profesor i rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë dhe doktor i shkencave juridike, i specializuar në të drejtën kushtetuese dhe administrative. Ai ka mbi dy dekada përvojë akademike dhe hulumtuese, është autor i shumë publikimeve shkencore dhe ka qenë pjesë e disa trupave profesionalë, përfshirë Këshillin për akreditim të arsimit të lartë dhe Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë.

Agon Ferati është propozuar për të udhëhequr Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe njihet për përvojën e tij në menaxhimin e projekteve, politikat publike dhe integrimin evropian. Ai është trajnuar në institucione ndërkombëtare si OSBE dhe UNOPS dhe ka qenë aktiv në politikë si nënkryetar i LR-PDSH/ASH, duke udhëhequr edhe shtabe zgjedhore me rezultate të rëndësishme në zgjedhjet e vitit 2017 në Pollog. Pas vitit 2020, ai është tërhequr nga politika aktive dhe është fokusuar në menaxhimin e projekteve evropiane me vlerë miliona euro, si dhe është alumn i programeve ndërkombëtare si ACYPL dhe trajnimeve në Institutin Robert Schuman, Universitetin e Lundit, OSBE dhe UNOPS.

Sedat Sulejmani do të udhëheqë Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit dhe vjen nga radhët e koalicionit VLEN. Ai ka përvojë të mëhershme si zëvendësministër në të njëjtin dikaster dhe ka qenë i angazhuar në administratën publike dhe në sektorin e kulturës. Gjithashtu, ka marrë pjesë në procese institucionale të hartimit dhe menaxhimit të politikave kulturore brenda Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Sipas ndarjes së re, koalicioni VLEN, përveç këtyre ministrive, do të vazhdojë të udhëheqë edhe me postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministritë për Çështje Evropiane, Ekonomi dhe Punë, si dhe Mjedis Jetësor.