Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe zbatimi i Planit të Rritjes Rajonale do të jenë temat e bisedës në drekën e nesërme të punës që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të zhvillojë me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Në drekën e punës, siç informoi sot KE, të ftuar janë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i Shqipërisë, Edi Rama, i Kosovës, Albin Kurti dhe i Malit të Zi, Milojko Spajiq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovina, Borjana Kristo dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Komisioni Evropian bën me dije se aktualisht është duke finalizuar vlerësimin e agjendave të reformave të paraqitura të vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me Planin e Rritjes, të cilat i referohen aspekteve socio-ekonomike dhe fushës së të drejtave themelore.
“Kur të përfundojmë këto vlerësime, do të konsultohemi me shtetet anëtare të Komitetit të ardhshëm IPA dhe në rast të një vlerësimi pozitiv nga Komiteti IPA, do të miratojmë agjendat e reformës”, tha zëdhënësja e KE, Ana Pisonero, duke shtuar se pas kësaj, do të vijojë përgatitja për pagesën e kësteve të para të Instrumentit për Rritje dhe Reforma në Ballkanin Perëndimor.
Krahas drekës së punës me shefin e Komisionit Evropian, në agjendë të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili nga sot deri të premten do të jetë për vizitë pune në Bruksel, janë edhe takimet me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Komisionerin Evropian për Zgjerimin Oliver Varhey, si dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) Gert Jan Kompan.
Kryeministrin do të shoqërohet në Bruksel nga ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ekonomisë, Timço Mucunski dhe Orhan Murtezani.
“Ky takim diplomatik i kryeministrit ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekzistues dhe është i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në takimet do të trajtohen një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me stabilitetin rajonal, rritjen e bashkëpunimit ekonomik, përafrimin e reformave me standardet evropiane, sundimin e ligjit dhe luftën e pakompromis të Qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit”, njoftoi Qeveria pasditen e sotme.
Mickoski më herët në një deklaratë për media tha se nuk do të shkojë në Bruksel për të prezantuar planin për rritje, por siç tha ai, të paraqesë zhgënjimin e qytetarëve të Maqedonisë.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.