Vritet një efektiv policie në Shqipëri, plagoset një tjetër

Mediat në Shqipëri raportojnë për një polic të vrarë nga një aksion policor në Lozhan të Maliqit. Sipas raportimeve, një punonjës i Policisë së Shtetit ka mbetur i vrarë ndërsa një tjetër është plagosur.

Sipas Vizion Plus, efektivi i vrarë është Enea Mekolli, ndërsa punonjësi i policisë që mbeti i plagosur është Edison Adri. Të dy ishin pjesë e operacionit për kapjen e një personi të shpallur në kërkim prej vitesh.

Sipas informacioneve paraprake, autor i dyshuar i ngjarjes është Violand Bracellari, person që kërkohej nga autoritetet dhe që dyshohet se fshihej në zonën e Lozhanit.

Burime nga vendngjarja raportojnë se ai qëndronte në një stan të izoluar, ndërsa gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë ka pasur përplasje me armë.

Nga të shtënat, Enea Mekolli mbeti i vrarë, ndërsa Edison Adri u plagos.

Mësohet se edhe i dyshuari është kapur i plagosur pas operacionit.

Në zonë vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një reagim zyrtar lidhur me rrethanat e incidentit që tronditi Policinë e Shtetit dhe opinionin publik.

Efektivi i vrarë, Enea Mekolli