Granit Xhaka ka zbuluar arsyen pse vendosi të refuzojë transferimin te Chelsea gjatë merkatos së kësaj vere, pavarësisht interesimit të klubit londinez dhe mundësisë për të punuar sërish me Xabi Alonson.
Mesfushori 34-vjeçar i Sunderlandit ka thënë se beson te projekti i klubit dhe se nuk dëshiron të largohet pasi synon të ndërtojë diçka afatgjatë.
“Kur nënshkrova kontratën këtu, kisha një plan dhe plani ishte të vazhdoja me këtë projekt, të besoja dhe të punoja për të. Gjithmonë i them vetes dhe njerëzve se nuk kam ardhur këtu vetëm për një sezon”, tha Xhaka në podcastin The Sports Agents.
Ai e cilësoi si privilegj interesimin e Chelsea dhe dëshirën e Xabi Alonsos për ta pasur sërish në skuadër, pasi të dy kanë punuar së bashku te Bayern Leverkusen.
“Është një privilegj i madh që një klub si Chelsea kërkon një futbollist rreth 34 vjeç. Por unë jam i përkushtuar ndaj klubit tim”, deklaroi Xhaka.
Mesfushori shtoi se dëshiron të luajë në Evropë me Sunderlandin dhe të vazhdojë projektin së bashku me klubin dhe tifozët.
“Kam ndjesinë se ky projekt nuk ka përfunduar ende dhe ky është motivimi im. Dua ta shijoj futbollin evropian me këtë klub, me tifozët dhe shpresoj që të arrijmë edhe më shumë pas këtij sezoni”, përfundoi Xhaka.
