Xhulian Shabani është zgjedhur zëvendësdrejtor i Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM), përcjell TV21. Nga 8 kandidatë në konkurs, programi i punës i Xhulian Shabanit u zgjodh si më i miri.
Sipas biografisë së tij ai pas vete ka 20 vite përvojë profesionale në fushën e medias, televizionit, komunikimit dhe menaxhimit.
Shabani ka ndërtuar karrierë në disa prej mediave në vend, ndër to TV HANA, TV ERA, ALSAT-M, MRTV, A1 Televizion dhe TV21, ku ka ushtruar funksione në regji televizive, produksion, menaxhim dhe komunikim.
Nga përvoja e tij profesionale, 16 vite i ka kaluar në pozita udhëheqëse, duke drejtuar redaksi, ekipe produksioni, kompani dhe projekte në fushën e medias dhe komunikimit.
Shabani ka përfunduar Fakultetin e Administratës dhe Menaxhmentit, ndërsa më pas ka kryer magjistraturën në Komunikim Ndërkombëtar, duke kombinuar përgatitjen akademike me përvojën në sektorin mediatik.
Shabani ka udhëhequr edhe kompani dhe projekte në fushën e marketingut, produksionit audiovizual dhe komunikimit strategjik, duke bashkëpunuar me institucione publike, kompani private dhe partnerë ndërkombëtarë.
Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e një sërë projektesh televizive, artistike dhe mediatike.
Pas pesë vitesh pa drejtues, Këshilli Programor i Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM) ka emëruar Xhulian Shabanin në detyrën e zëvendësdrejtorit të transmetuesit publik.
Pozita e zëvendësdrejtorit kishte mbetur e paplotësuar që nga viti 2021, ndërsa me këtë vendim plotësohet një nga funksionet drejtuese më të rëndësishme të RTVM-së.
