Linja jonë e kuqe dihet – kështu kryeministri Hristijan Mickoski i komentoi mesazhet e përfaqësuesve të lartë të BE-së të cilët kanë thënë se punohet për të gjetur zgjidhje kreative për zhbllokim. Megjithatë, sipas tyre, ndryshimet kushtetuese me prapaveprim, për çka angazhohen edhe autoritetet vendase, nuk janë opsion. Ata kanë shtuar se kërkohen garanci që në të ardhmen Maqedonia të mos bllokohet për shkak të çështjeve dypalëshe.
“Nuk e di se kush mund të japë garanci që të mos ketë bllokada me marrëveshje dypalëshe në kornizën negociuese, nuk e di se kush është ai që do të japë garanci të tilla. E vetmja garanci që e dhamë ne është prezantuar para partnerëve tanë strategjikë dhe ky është maksimumi që mund ta bëjmë”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Mickoski shtoi se nëse politikanët në Bruksel kanë zgjedhur të jenë robër të çështjeve dypalëshe, gjë që vjen nga politikanë të mesjetës, në atë rast ta lënë Maqedoninë të vazhdojë me reformat e brendshme. Së fundmi, eurokomisarja e re për zgjerim, Marta Kos e përsëriti qëndrimin e BE-së për kushtin për Maqedoni, që hasi në kritika nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova.
“Ne presim që Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën, sepse ne e presim këtë, asgjë më shumë e asgjë më pak”, tha Marta Kos – Eurokomisare për Zgjerim.
“Kjo më duket si ndërmjetësi e sofistikuar servile. Kjo më frikëson nga diksioni i tillë që do të thotë përzierje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme”, theksoi presidentja e RMV Gordana Siljanovska Davkova.
Kryeministri Mickoski të martën do të udhëtojë në Bruksel ku do të takohet me kryetarin e ri të Këshillit të BE-së, Antonio Koshta e ku pritet të bisedojnë për zhbllokim të procesit.