Filmi “Tokë e Djegur”, me skenar dhe regji të Ganimet Bytyqit (Lalushi), është një projekt kinematografik me tematikë lufte që synon të sjellë në ekran ngjarje të frymëzuara nga lufta e Kosovës (1998–1999), duke përcjellë histori sakrifice, dashurie, bese dhe mbijetese.

Ky realizim artistik prek thellë kujtesën kolektive të shqiptarëve, duke rikthyer emocionet e një periudhe të dhimbshme, kur u flijuan mijëra jetë dhe ranë dëshmorët që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.

Xhirimet e filmit do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri dhe Francë, ndërsa projekti premton të sjellë një rrëfim të fuqishëm për luftën, sakrificën dhe rrugëtimin drejt lirisë.

Një nga rolet kryesore i është besuar Samedin Jasharit, birit të dëshmorit të kombit Sherif Brahim Jashari nga Prekazi i Drenicës. Sherif Jashari ra heroikisht gjatë luftës së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998, duke luftuar krah për krah me Adem dhe Hamëz Jasharin në mbrojtje të Prekazit, betejë që shënoi kthesën historike të luftës për çlirimin e Kosovës.

Edhe pse jeton dhe vepron në mërgatë, Samedin Jashari e ka pranuar këtë rol si komandant i Njësisë Speciale të UÇK-së sepse, siç thotë ai, e ndien si një mision shpirtëror.

“Duke luajtur rolin e përcaktuar nga skenaristi dhe regjisori Ganimet Bytyqi, po e përjetoj dhe po e imagjinoj luftën e shenjtë dhe të vështirë që kanë zhvilluar pjesëtarët e UÇK-së. Ata, përveç betejës kundër armikut, janë kujdesur edhe për mbrojtjen e popullatës civile, që të mos vritej e masakrohej. Ishte një luftë e pabarabartë në çdo aspekt,” është shprehur Samedin Jashari.

Sipas realizuesve, filmi synon të pasqyrojë të vërtetën e luftës dhe sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e vendit. Përmes interpretimeve të aktorëve, çdo shikues pritet të gjejë një copëz të historisë dhe emocioneve të asaj kohe.
Në kastin e filmit bëjnë pjesë emra të njohur të artit nga Kosova dhe diaspora, si: Bislim Muqaj, Samedin Jashari, Avni Hoti, Shpëtim Kastrati, Elmi Vrenezi, Shefki Iseni, Fiza Ramadani, Arton Mazreku, Ganimete Bytyqi dhe Adem Zhitopotoku, si dhe artistë të tjerë.
Skenarin dhe regjinë e filmit e ka realizuar Ganimet Bytyqi (Lalushi), ndërsa realizimi teknik është duke u bërë nga Artlali dhe Elsa Produksion.
“Tokë e Djegur” pritet me interes të madh nga publiku shqiptar, si një film që synon të ruajë kujtesën historike dhe të nderojë sakrificën e brezit që luftoi për lirinë e Kosovës.

        

The post Samedin Jashari emocionon me rolin kryesor në filmin “Tokë e Djegur”, një rrëfim për sakrificën dhe lirinë appeared first on Veriu.info.