11 kompani ofertuese në tender po presin vlerësimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin e segmentit të dytë të Autostradës “Shkup-Bllacë”, përcjell TV21. Kjo pasi që përveç kredisë që do e marrim nga ta, BERZH do ta dijë se kujt i jep një pjesë të grantit të pakthyeshëm për 10 km autostradë.
I pyetur nga TV21, Ministri i Transportit Aleksandar NIkollovski tha se shumë shpejtë do të bëhet i ditur. Gjatësia totale e autostradës Shkup-Bllacë është 12,5 km. Segmenti parë prej dy kilometrash është përfunduar, por nuk të çon askund, ndonëse ka kushtuar hiç më pak se 57 milion euro. Ndërkaq, nga ana e Kosovës, autostrada “Arbën Xhaferi” është ndërtuar që para shtatë vitesh, me gjatësi prej 65 kilometrash – nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Prishtinë.
“Atje jemi në fazën e vlerësimit, kemi 11 oferta nga kompani me renome dhe të mëdha. Evoluimin e bën Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, varet prej tyre! Informacionet që kam janë shumë pozitive dhe pritet në një kohë shumë-shumë të shpejtë do të dalin me vendim përfundimtar”, tha Aleksandër Nikollovski, ministër i Transportit .
