Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti në seancën solemne me rastin e 24-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit tha se qeveria aktuale është e angazhuar për të siguruar barazi reale, pasi sipas tij, pasojat e barazisë formale po ndjehen tani, përcjell TV21. Duke shtjelluar çështjen e barazisë formale, respektivisht kontestimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe shfuqizimin e Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, Mexhiti dërgoi mesazh deri te Kushtetuesja, për të cilën tha se duhet të respektojë marrëveshjet paqësore dhe mekanizmat që dalin nga këto marrëveshje.
“Qeveria që përfaqësoj, është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi ligjor dhe institucional që garanton barazi reale dhe jo vetëm formale. Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore, por një mision politik dhe moral, sepse pasojat e barazisë formale po i ndjejmë të gjithë sot. Pasojë e barazisë formale është ligji gjysmak për përdorimin e gjuhës shqipe i cili po kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, por edhe mekanizmi i Balancuesit të cilin e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese. Dhe ku jemi të gjykata, më lejoni të theksoj se në një shtet multietnik, Gjykata Kushtetuese ka një mision shumë më delikat strategjik sesa në një shtet homogjen etnikisht, sepse nuk e mbron vetëm rendin kushtetues në kuptimin formal, por edhe kohezionin shtetëror dhe paqen ndërmjet komuniteteve. Gjykata Kushtetuese në vendin sikur i joni, duhet të jetë garantues i barazisë kushtetuese. Ajo duhet të jetë mbrojtëse e marrëveshjeve politike themelore, pra mekanizmave që burojnë nga një marrëveshje paqësore. Ajo duhet t’i respektojë dhe interpretojë me qëllim ruajtjen e balancit etnik në shtet. Gjykata Kushtetuese si gardian i Kushtetutës, ka për qëllim thelbësor të kontribuojë në ndërtimin e besimit ndëretnik, pra të sjell vendime të argumentuara, transparente dhe që flasin në gjuhën e të gjitha komuniteteve. Gjykata Kushtetuese duhet t’i interpretojë ligjet komform Kushtetutës dhe frymës së saj, dhe jo vetëm të bëjë leximin bardh e zi të neneve të saj”, tha mes tjerash Mexhiti.
Zëvendëskryeministri Mexhiti tha se pavarësisht sfidave, qeveria aktuale po përforcon përdorimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
“Për këtë arsye, qeveria po përforcon përdorimin e gjuhëve sipas parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së vendit, në të gjitha nivelet e administratës dhe jetës publike, si simbol i barazisë dhe respektit ndëretnik. Thënë thjesht, përdorimi i gjuhës shqipe në institucione publike nuk është shfuqizuar, por po bëjmë përpjekje për përforcimin e saj, në rrethana kur ligji aktual gjendet i kontestuar para Gjykatës Kushtetuese. Po implementojmë politika gjithëpërfshirëse në arsim dhe kulturë, që e përfaqësojnë mozaikun tonë shoqëror dhe japin secilit komunitet hapësirën e merituar për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e vetë. Po ndërtojmë një shërbim civil multietnik në të cilin përfaqësimi nuk është vetëm statistikë, por vlerë e shtuar për efikasitetin dhe besueshmërinë në institucione. Në këtë frymë, kemi hartuar edhe Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili shumë shpejtë do të miratohet në Kuvend. Ndërkohë punësimet dhe avancimet në administratë vazhdojnë dhe lirisht mund të konstatojmë se ky vit është viti më i suksesshëm që nga mëvetësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shtoi Mexhiti.
