Të rinjtë janë burimi më i madh i shtetit për krijimin e një shoqërie më të zhvilluar dhe më stabile, si dhe për përmirësimin e standardit të jetesës, deklaroi ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, në panel-diskutimin kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Ferati theksoi se ky jubile nuk duhet të jetë vetëm një kthim pas në të kaluarën, por edhe një mundësi për të diskutuar për të ardhmen dhe sfidat që e presin vendin.

“Në qoftë se kemi mosfunksionim të sistemit nuk do të thotë që menjëherë duhet t’ia hedhim fajin palës tjetër që nuk e njohim edhe aq mirë, sepse në zonat ku ka popullsi të përzier etnike me shumë bashkësi kanë mundësi ta njohin qytetarët njëri-tjetrin, mirëpo në zonat që kanë më pak mundësi të takojnë pjesëtar të komuniteteve tjera nuk arrijnë të kuptojnë siç duhet vlerat”, tha Agon Ferati, ministër Ndërmjet Bashkësive.

Për përdorimin e gjuhës shqipe, bashkëkryetari i VLEN-it, kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, tha se aty ku shfaqen pengesa në përdorim, duhet të krijohen zgjidhje juridikisht të qëndrueshme që e bëjnë këtë të drejtë funksionale në praktikë. Mexhiti theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve infrastrukturore, duke veçuar Korridorin 8, i cili lidh Kumanovën me Shkupin. Sipas tij, ky është një shembull konkret se si infrastruktura ndikon në zhvillimin ekonomik.

“Qeveria ka miratuar zgjidhjen ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë duke e ngritur këtë çështje nga niveli i një mekanizmi administrativ në nivelin e rregullimit ligjor, kjo është një diferencë thelbësore, sepse një mekanizëm mund të ndryshohet të keqpërdoret dhe mund të varet nga vullneti i institucionit. Një parim i vendosur në kornizë ligjore fiton qëndrueshmëri, përgjegjësi institucionale dhe instrument për zbatimin e tij”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Çairit, bashkëkryetar i VLEN-it.

Bashkëkryetari i VLEN-it, kryetari i Tetovës Bilall Kasami theksoi se forcimi i komunave me avancimin e decentralizimi fiskal, financimi i drejtë dhe përfshirja më e madhe e qytetarëve në vendimmarrje janë të domosdoshme për demokraci funksionale.  Kasami tha se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet dhe avancohet dhe këtë siç potencoi e bëjnë me sjelljen e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.

“Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje për ndërtim të shtetit pra nuk është një marrëveshje për  ndarje të shtetit. Maqedonia vazhdon në bazë të Kushtetutës dhe bazuar mbi parimet e marrëveshjes së Ohrit të jetë një shtet unitar por me një kompromis përsëri në interes të shtet ndërtimit që të përforcohet decentralizimi”, deklaroi Kasami.

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme Timço Mucunski, vendi ynë është i pjekur për t’i kapërcyer vijat etnike dhe për të ndërtuar një shoqëri të vërtetë civile që është e fokusuar kryesisht në sfidat e shekullit të 21-të dhe kohës në të cilën jetojmë. Ministri theksoi se debati i sotëm nuk ka për qëllim të shikojë prapa në vitin 2001, por më tepër të përgjigjet në pyetjen se çfarë lloj vendi duam të kemi në vitin 2051.

“Dhe këtu shqetësimi im më i madh, nëse më pyetni se cili është shqetësimi im më i madh nga pikëpamja politike në shoqërinë tonë, është se ende ka individë dhe subjekte politike, kryesisht parti politike, të cilat po përpiqen të imponohen si pronarë të një komuniteti përgjatë vijave etnike”, u shpreh Mucunski.

Në këtë panel-diskutimi me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit të organizuar nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive folën edhe profesorë, ekspertë, ish-diplomatë, politikanë, dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.