Gazetar: Suad Bajrami
Tortën e ditëlindjes së LSDM-së e preu kryetari Venko Filipçe, megjithatë vëmendjen e mori ish kryetari Zoran Zaev. Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë mbrëmë shënoi 35-vjetorin e themelimit në hapësirat e selisë qendrore në Shkup. Paraqitja e ish liderit të partisë dhe ish kryeministrit u prit nga anëtarët me duartrokitje, përqafime e kërkesa për fotografi, ndërsa pati komente dhe reagime edhe në media e rrjete sociale.
Krahas Zaevit, në festë ishin edhe ish funksionarë të lartë partiak e shtetëror, por edhe figura të tjera publike të medias. Kryetari Filipçe, në fjalimin e tij para të pranishmëve bëri një rikapitullim të rrugëtimit të LSDM-së në tre dekada e gjysmë, duke theksuar rolin e LSDM-së në ndërtimin e pozicioneve shtetërore si në kohë të pushtetit, ashtu edhe të opozitës. Krahas premtimeve nga programi i LSDM-së në të gjitha fushat, Filipçe dërgoi kritika të ashpra kundër oponentëve politik, respektivisht VMRO-DPMNE-së duke i cilësuar si antievropian dhe që punojnë në dëm të interesave shtetërore.
“I porosis, koha e gënjeshtrave dhe patriotizmit të rrejshëm dhe nacionalizmit të papërpunuar në dëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe interesave më të larta kombëtare ka mbaruar. E kthejmë pushtetin në duart e qytetarëve, për atë sonte në 35-vjetorin e LSDM-së nuk kthehemi dhe nuk rikujtohemi vetëm për historinë tonë, por edhe për masën tonë, në fjalinë e Kiro Gligorovit, Maqedonia është gjithçka që kemi”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja në vend telegram urimi, publikuan një komunikatë, duke akuzuar LSDM-në se ende është nën “kthetrat” e Zaevit i cili sipas tyre, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të partisë, kanë bërë marrëveshje me opozitën serbe për të ndërtuar front të përbashkët.
“Zaevi jo 5 vjet, por 5 minuta nuk ka abstenuar nga LSDM-ja dhe politika, mbrëmë në ditëlindjen e partisë erdhi të tregojë se ai është ende lideri suprem i LSDM-së dhe se të gjithë punojnë sipas udhëzimeve të tij… Derisa Zaev është me LSDM-në, ata nuk kanë ardhmëri. Qytetarët nuk harrojnë”, thonë nga VMRO-DPMNE.
35-vjetori e gjen LSDM-në gjendje të rëndë politike, pas humbjeve të thella në zgjedhjet e fundit parlamentare, presidenciale në vitin 2024 dhe ato lokale në vitin 2025. Pikërisht për këtë arsye kishte zëra brenda partisë që kërkonin përgjegjësi. Ndër to ishte Petre Shilegov, ndaj të cilit u ngrit procedurë për përjashtim nga partia nën akuzën se ka përgatitur një platformë dhe plan për të dobësuar partinë në momentet kur VMRO shënon ulje të besueshmërisë, ndërsa LSDM shënon rritje. Megjithatë Shilegov doli me kundër-akuzë se Filipçe punon për VMRO-në, në mënyrë që të mos hapen hetime për vepra eventualisht penale.
The post 35-vjet LSDM: Tortën e preu Venko Filipçe, vëmendjen e mori Zoran Zaev appeared first on Alsat.
