Ditë më parë Ministria e Financave kumtoi se i ka hequr licencën për punë një prej shoqërive më të mëdha për kredi të shpejta e quajtur “Credi YES”. Po duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një numër të madh qytetarësh që kanë lidhur kontrata kredie me këtë kompani, TV21 kërkoi sqarim nga Ministria lidhur me statusin e tyre të mëtejmë juridik dhe financiar. A ekziston mundësia për falje të pjesshme ose të plotë të borxheve të qytetarëve në raste të tilla?

-Sipas detyrimeve ligjore, drejtuesi i shoqërisë është i obliguar që brenda 15 ditëve të nisë procedurë likuidimi ose të paraqesë kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit pranë gjykatës kompetente, si dhe për këtë ta njoftojë Ministrinë e Financave. Me nënshkrimin e kontratës, të dyja palët kontraktuese pranojnë të drejtat dhe obligimet e përcaktuara në marrëveshje. Pavlefshmërinë e kontratave mund ta konstatojë vetëm gjykata. Qytetarët kanë të drejtë t’i kundërshtojnë kontratat e lidhura me cilëndo shoqëri financiare para gjykatës kompetente, në përputhje me dispozitat e kontratës së nënshkruar”, thotë ministria e Financave.

Ligjërisht, kontrata e kredisë mbetet në fuqi derisa borxhi të shlyhet, palët të arrijnë marrëveshje tjetër ose gjykata ta shpallë kontratën të pavlefshme. Megjithatë, nëse vërtetohet se kompania ka përdorur kamata joligjore, klauzola abuzive apo ka shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, qytetarët kanë të drejtë ta kontestojnë kontratën në gjykatë dhe të kërkojnë rishqyrtim të detyrimeve të tyre.

E në njoftimin e ministrisë se pse iu hoq licenca shoqërisë financiare, u dhanë këto sqarime:
“Mbikëqyrja konstatoi shkelje të rënda të dispozitave ligjore, veprim në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe praktika me të cilat qytetarët – përdorues të shërbimeve financiare -ishin vënë drejtpërdrejt në rrezik. Për shkak të peshës së shkeljeve të konstatuara dhe seriozitetit të parregullsive të evidentuara, Ministria e Financave gjatë muajit maj mori vendim për t’ia hequr licencën e punës shoqërisë financiare”, thotë ministria e Financave.

Me këtë vendim, u mbyllën rreth 40 degët e “Credi YES” në të gjithë vendin, ndërsa rreth 120 punonjës kanë marrë njoftim se janë pushuar nga puna.
Përndryshe “Credi Yes” ishte e pranishme në tregun e Maqedonisë që nga viti 2019 dhe konsiderohej një nga kompanitë kryesore në segmentin e kredive të shpejta konsumatore.