Sergio Aguero ka zbuluar se ka qenë shumë afër transferimit te Juventusi. Ish-sulmuesi argjentinas, në një intervistë për “Marca”, ka konfirmuar se ka qenë shumë afër bardhezinjve: “Në Spanjë gjithmonë janë përhapur thashetheme për një kalim timin te Real Madridi, por nuk ka pasur kurrë asgjë konkrete në këtë drejtim.
E vërteta është se para se të firmosja me Manchester City, kam qenë vetëm një hap larg Juventusit, gjithçka ishte e definuar. Në fund zgjodha anglezët, sepse doja të provoja një eksperiencë në Premier League dhe se ata do të luanin në Ligën e Kampionëve, kompeticion në të cilin Juve nuk ishte kualifikuar”.
Aguero u bë legjendë e Manchester City, duke qenë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave (260 gola në 390 paraqitje). Atje mbërriti në verën e vitit 2011, më pas e udhëhoqi Manchester City drejt fitimit të 5 titujve të Premier League, duke shënuar gola vendimtarë, përfshirë atë ikonikun në minutën e fundit kundër QPR, në vitin 2012, që solli titullin e parë pas 44 vitesh.
Ai fitoi gjithashtu 6 Kupa Lige, 1 “FA Cup” dhe 3 “Community Shield”. Aftësia e tij për t’u përshtatur dhe ndjesia e lindur për gol e bënë argjentinasin idhull të padiskutueshëm për tifozët e Manchester City dhe një nga sulmuesit më efikasë të historisë së Premier League. Ndikimi i tij në klub ishte i jashtëzakonshëm, duke e ngritur Manchester City në elitën e futbollit anglez dhe europian.
The post Aguero: Kam qenë vetëm një hap larg Juventusit, më pas zgjodha City prej Ligës së Kampionëve appeared first on Telesport.
