Ali Ahmeti reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ato si shqetësuese dhe duke theksuar se për çështje të ndjeshme kombëtare “nuk bëhet majtap”, transmeton TV21.

Ai vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli i të drejtave të shqiptarëve në vend dhe kujtoi se ajo është arritur me sakrifica dhe gjak të derdhur.

Ahmeti kritikoi gjithashtu koalicionin VLEN, duke pretenduar se nuk ka legjitimitetin e votës shqiptare dhe duke i bërë thirrje që të mos sakrifikojë çështjet kombëtare për interesa politike.

“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është gurthemeli edhe i planit të Ahtisarit për Pavarësinë e Kosovës. Për këtë marrëveshje gjak derdhën edhe vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria.

Kjo marrëveshje nuk është ideale, sepse është kompromis në kohë lufte, ku të dyja palët dolën barabartësisht të pakënaqur, por zgjodhën paqen dhe bashkëjetesën.

Me këtë marrëveshje unë e lashë këtë vend me gjuhë shqipe zyrtare, me flamur kombëtar zyrtar, me tre universitetet në gjuhën shqipe, me mbi 25.000 administratorë shqiptarë, me kryeministër shqiptarë, me kryeparlamentarë shqiptarë e me pafund e me pafund institucione shtetërore të drejtuara nga shqiptarët.

Unë e lashë presidencën duke folur shqip në çdo komunikim, bashkë edhe me qeverinë, kuvendin, komunal, policinë dhe të gjitha institucionet shtetërore.

Qeveria ime, Albin, të ftoj në Shkup për mbledhje të përbashkët ku flitet shqip, edhe ti edhe ministrat e mi, nga fillimi gjerë në fund.

Qeveria ime. Edhe këtu, qeveria ime, Albin, e la të gatshme rrugën Shkup-Bllacë, kufirin e përbashkët me Kosovë, kalimin e kufirit me letërnjoftim, ndërtoi korridorin e tetë, realizoi projektin për rrugën Tetovë-Prizren dhe ta dha ty të gatshëm para pesë viteve, bashkë me 11 marrëveshje të tjera bilaterale.

Qeveria ime, Albin, e njohu pavarësinë e Kosovës. E lëvdoi atë. Po, po. E loboj. E loboj për Kosovën.

Deri në vitin 2008, Albin Kurti, pika e parë në të gjithë agjendën politike dhe punën time ka qenë Marrëveshja e Ohrit. Dhe pika e dytë ka qenë Pavarësia e Kosovës.

Sepse nuk mund të ndahen. Popujt me shpatë, shqiptarët e ish-Jugosllavisë, luftën e betejat i kanë bërë bashkë.

Nuk ka shqiptar të Maqedonisë që nuk është solidarizuar me luftën për liri të Kosovës, qoftë me financa, qoftë me njerëz, qoftë me strehime.

Lufta ka qenë e përbashkët. Luftën këtu Ushtria Çlirimtare Kombëtare e ka bërë me ushtarët më të zot e më të mirë të Kosovës.

Këto dhe shumë tjera i mundësoi Marrëveshja e Ohrit dhe ligji për gjuhët që rrjedh nga kjo marrëveshje dhe kushtetuta.

Mbrëmë, Albin, fole që duhet të respektohet vullnetin e popullit. Pajtohem. Por edhe këtu të kanë informuar gabim.

Vlen nuk e ka vullnetin e popullit, nuk e ka legjitimitetin e votës, sepse i humbi zgjedhjet dhe hyri në qeveri si i preferuari i VMRO-së e jo i shqiptarëve.

E kur nuk e ke vullnetin e popullit për ta përfaqësuar, bëhesh hyzmeqar. Nuk mundesh me e mbrojt gjuhën, se ta heqin, siç ta hoqën. Flamurin ta nëpërkëmbin, administratorit, administratorët t’i dëbojnë nga puna, institucionet i mbyllin dyert për shqiptarët.

Asnjë projekt nuk e realizon dot, sepse ke hyrë në përzgjedhjen e VMRO-së e jo me vullnetin e shqiptarëve”, deklaroi mes tjerash kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.