Në “San Siro”, në ndeshjen kundër Romës, që e çoi Milanin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, lindi një Milan i ri. Merkatoja e dimrit e ka revolucionarizuar plotësisht skuadrën e Conceiçaos, duke sjellë atë adrenalinë që tifozët kuqezinj prisnin prej kohësh. Rezultatet u panë menjëherë, mjaftuan vetëm 30 minuta.

Rreth minutës së 60-të, me rezultatin 2-1, trajneri portugez hodhi në fushë João Félix dhe Gimenez, të pritur me ovacionet e 60 mijë tifozëve në stadium (12 mijë bileta u shitën pasi u mbyll merkatoja). Atmosfera në “San Siro” ndryshoi menjëherë.

Pasime të shpejta, prekje delikate dhe teknikë e jashtëzakonshme, pikërisht ato që tifozëve të Milanit iu mungonin më shumë. Vetëm 12 minuta më vonë ndodhi mrekullia; asist perfekt nga Gimenez, një “parabolë” e mrekullueshme e João Félix ndaj Svilar dhe ndeshja u mbyll. “San Siro” duartrokiti me entuziazëm, duke lënë pas javë të tëra polemikash. Ai gol shënoi një fillim të ri.

João Félix dhe Gimenez janë tashmë idhujt e tifozëve (siç e tregojnë edhe të dhënat mbi shitjen e fanellave). Përveç tyre, ndikim të menjëhershëm pati edhe një tjetër prurje e re: Kyle Walker. Ish-lojtari i Manchester City solli cilësi dhe eksperiencë në një mbrojtje që ende duket shumë e brishtë.

Edhe ndaj Romës, reparti mbrojtës ishte pika e dobët e Milanit (që prej ardhjes së Conceiçaos, skuadra nuk ka mbajtur ende një portë të paprekur), pavarësisht formës së mirë të Tomori dhe Pavlović.

Ndikimi i lojtarëve të rinj ishte i menjëhershëm, por Milani nuk mund të bëjë pa Leãon. Kundër Romës, portugezi e nisi nga stoli për t’u ruajtur për ndeshjet e ardhshme, por edhe një herë tjetër ai nuk bëri diferencën kur u fut në lojë. Tani që Conceiçao ka shumë alternativa në sulm, lind pyetja: A e rrezikon Leão vendin e titullarit?

Fjalët e trajnerit pas ndeshjes ishin shumë domethënëse: “Leão mund të bëjë shumë më shumë. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme, por duhet të kuptojë se është i rëndësishëm edhe kur nuk e ka topin. Duhet të dalë nga zona e tij e rehatisë. Nëse e kupton këtë, mund të bëhet një lojtar i një niveli tjetër”.

Milani i ri ka lindur, por për t’u bërë vërtet një skuadër e madhe, i duhet edhe versioni më i mirë i Leãos.

The post Analiza / Milani i “rilindur” lumturon tifozët dhe bën paqe me “San Siron” appeared first on Telesport.