Trajneri i kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, deklaroi se eliminimi nga Norvegjia në Kupën e Botës 2026 shënon “fillimin e një aventure të re”. Në konferencën për shtyp, tekniku italian pranoi se të gjithë në kampin brazilian janë “thellësisht të zhgënjyer” nga humbja 2-1 në fazën e 1/8, por theksoi se Brazili zhvilloi një “Kupë Bote të mirë” dhe se, sipas tij, madje e meritonte ta fitonte ndeshjen.
“Duhet ta shohim këtë humbje si fillimin e një aventure të re. Duhet të vazhdojmë të punojmë, të përmirësohemi dhe të gjejmë ide të reja. Nuk është fundi, është fillimi i një cikli të ri”, – u shpreh Ancelotti.
Ndërkohë, Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) i ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë teknikut italian, edhe pas eliminimit nga Norvegjia. Drejtori ekzekutiv i kombëtareve në CBF, Rodrigo Caetano, deklaroi se “Brazili duhet të vazhdojë një cikël normal deri në Kupën e Botës 2030, me më shumë qetësi dhe stabilitet, ndryshe nga ndryshimet e shpeshta të trajnerëve që kanë karakterizuar katër vitet e fundit.
Me trajnerin e konfirmuar për ciklin e ardhshëm, që në shtator mund të nisim rindërtimin e ekipit, duke marrë anët pozitive nga kjo Kupë Bote dhe bërë korrigjimet e nevojshme”.
Ai refuzoi t’ia atribuojë përgjegjësinë Ancelottit për eliminimin ndaj Norvegjisë, duke kujtuar se italiani drejton kombëtaren prej më pak se një viti e gjysmë dhe kishte zhvilluar vetëm 12 ndeshje në stol para Kupës së Botës: “Pikërisht për këtë arsye, CBF do të bëjë të kundërtën e asaj që ka ndodhur zakonisht. Ne kemi fituar besim te puna e Ancelottit edhe para Kupës së Botës.
Dalim nga kjo Kupë Bote me ndjesinë se mund të kishim bërë më mirë se në të kaluarën, por tani duhet të ecim përpara. Nuk do ta zhvlerësojmë punën e bërë deri tani”.
The post Ancelotti: “Nuk është fundi, por fillimi i një cikli të ri”. Brazili i rinovon besimin: “Trajneri nuk preket” appeared first on Telesport.
