Gazetar: Miki Trajkovski
Komisioni Shtetëror i Shkallës së Dytë për vendimmarrje në procedurë administrative ka anuluar vendimin e kreut të Strugës Mendi Qyra, për shkarkimin e ish-drejtoreshës së Gjimnazit “Ibrahim Temo” Besime Jonuzi.
“Vendimi për shkarkimin e drejtorit të Shkollës së Mesme Komunale, gjimnazi “Ibrahim Temo” Strugë, i sjellë nga kryetari i Strugës, anulohet dhe lënda kthehet për rishqyrtim dhe rivendosje nga organi i shkallës së parë”, thanë nga Komisioni Shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative dhe procedurë nga marrëdhënia e punës.
• Anulohet vendimi për shkarkim
• Lënda kthehet për rishqyrtim
Nga komuna e Strugës thonë se lidhur me rastin e ish-drejtoreshës së gjimnazit, procedura gjyqësore ende nuk kishte përfunduar dhe se lënda ishte kthyer për rishqyrtim ndërsa Komisioni i shkallës së dytë kishte kërkuar informacione dhe dokumentacion shtesë, të cilat komuna e Strugës i kishte dorëzuar.
“Komuna e Strugës ka bazë të fortë ligjore për këtë shkarkim. Sipas dokumentacionit dhe të dhënave të siguruara, ish-drejtoresha ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke lidhur marrëveshje të drejtpërdrejtë me transportuesit e nxënësve për shuma joreale, me çka është shkaktuar dëm ndaj buxhetit të shkollës dhe interesit të nxënësve. Për këtë rast, komuna e Strugës ka ngritur kallëzim penal dhe lënda ndodhet në procedurë para organeve kompetente”, theksuan nga Komuna e Strugës.
• Kemi bazë ligjore për shkarkimin
• Ish-drejtoresha keqpërdori detyrën zyrtare
• Dëmtoi buxhetin e Shkollës
Dega e BDI-së në Strugë thotë ky vendim e vërteton se emërimet e drejtorëve në Shkolla janë realizuar në kundërshtim me ligjin.
“Inspektorati shtetëror i arsimit, sipas informacioneve që i kemi, ka konstatuar shkelje të procedurave ligjore dhe parregullsi në ushtrimin e detyrave në shkolla nga pushteti ekzekutiv i komunës së Strugës”, deklaroi Faton Pollozhani- BDI Strugë.
Paradoksale është, thonë nga komuna, që BDI e mbron shkarkimin e një drejtoreshe e cila më parë ishte emëruar në kundërshtim me ligjin./Alsat.mk.
The post Anulohet shkarkimi i drejtoreshës së “Ibrahim Temo”, Komuna e Strugës akuzon për shpërdorim detyre appeared first on Alsat.
