Nicolò Barella ka folur për të ardhmen e tij tek Interi dhe për mënyrën se si është rritur, duke u shndërruar në një pikë referimi në dhomat e zhveshjes së zikaltërve. Mesfushori i Interit, duke folur nga grumbullimi i skuadrës, bëri të ditur se dëshiron ta mbyllë karrierën me fanellën zikaltër. “A e imagjinoj veten ta mbyll karrierën këtu? Po. Pastaj varet edhe sa shpejt do të plakem”, – u përgjigj ish-lojtari i Cagliarit për “Gazzetta dello Sport”.
Më pas foli edhe për sezonin e ri: “Po shkoj drejt një sezoni ku po përpiqem të zhvilloj një mënyrë loje pak më ndryshe, sepse trupi im ndonjëherë reagon ndryshe. Po mundohem të luaj një futboll më ‘të zgjuar’ në menaxhimin e energjive, më konservator. Mënyra jonë e lojës, me mbrojtësit e krahut që na ndihmojnë të dalim përpara, ma lejon këtë. Tani jam 29 vjeç dhe jo më 23 si kur erdha tek Interi”.
Pas 7 vitesh tek Interi, Barella konsiderohet një nga liderët e skuadrës: “Lojtarët me përvojë duhet të jenë gjithmonë një pikë referimi, por edhe të rinjtë mund të jenë të tillë. Është çështje pune dhe përkushtimi ndaj skuadrës, pavarësisht gjithçkaje. Unë nuk e ndiej se duhet patjetër të jem një pikë referimi, por nëse dikush dëshiron të flasë me mua, jam i lumtur. Nuk e di nëse fjala e duhur është ‘shembull’, ndoshta më shumë ‘burim frymëzimi’ për atë që kam arritur gjatë karrierës sime këtu”.
Kur u pyet nëse është arritur gjithçka që kishte ëndërruar tek Interi, Barella u përgjigj: “Nuk e kisha menduar kurrë se do të bëhesha lojtari me më shumë asiste në historinë e klubit, por ja që ndodhi. As nuk e kisha menduar se do të bëhesha zëvendëskapiten. Por, nëse më pyesni nëse është kjo ajo që ëndërroja, përgjigja është po. Për shembull, do të doja të bëhesha edhe lojtari me më shumë paraqitje me këtë fanellë, por nuk e kam fiksim. Kur erdha këtu, doja vetëm të jepja gjithçka dhe të fitoja gjithçka. Mund të kisha bërë edhe më mirë, por jam krenar për rrugëtimin tim”.
The post Barella i përbetohet Interit: Dua ta mbyll karrierën këtu, kam edhe një objektiv appeared first on Telesport.
