Michael Olise vazhdon të jetë objektivi i shumë klubeve të mëdha europiane, por te Bayern Munich nuk duket se ka dilema: sulmuesi francez nuk është në shitje. Pas interesimit të fortë të Real Madridit gjatë merkatos së fundit verore, klubi bavarez ka zgjedhur një qëndrim të qartë: të mbajë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Sipas “Bild”, klubi bavarez nuk ka ndërmend të marrë në konsideratë shitjen e Olise, të cilin e konsideron një element qendror të projektit teknik të Vincent Kompany.
Rëndësia e tij lidhet edhe me objektivat afatgjata të klubit, veçanërisht me finalen e Champions League 2028, që do të zhvillohet në “Allianz Arena”. Në Mynih ëndërrojnë të përjetojnë një tjetër natë europiane në shtëpi, por me një fund ndryshe nga viti 2012, kur Bayerni humbi finalen vendase ndaj Chelsea.
Klubi dëshiron të ndërtojë një skuadër që të jetë në gjendje të shkojë deri në fund dhe e konsideron Olise një prej simboleve të së ardhmes.
Ish-lojtari i Crystal Palace është shndërruar shpejt në pikën kryesore të sulmit bavarez. Pas 3 golave kundër Union Berlin, francezi konsiderohet një prej lojtarëve më të mirë të skuadrës. Për këtë arsye, pavarësisht interesimit të madh të Real Madridit, bavarezët nuk duken gati të heqin dorë nga talenti i tij.
The post Bayern Munich “blindon” Olise, klubi bavarez ka një objektiv të madh për sezonin 2027/28 appeared first on Telesport.
