BDI kërkon nga Komisioni Antikorrupsion të verifikojë burimin e mjeteve me të cilat drejtori i NOMAGAS-it, Nedim Rama, ka blerë aksione në kompani të huaja, përfshirë Mercedes-Benz Group. Sipas BDI-së, Rama i ka fituar këto pjesëmarrje më 22 prill 2026, në kohën kur tashmë drejtonte NOMAGAS-in. Nga partia kërkojnë që të verifikohen data, vlera dhe burimi i investimeve, ndërsa Rama të shpjegojë publikisht se nga kanë ardhur paratë.

“Kërkojmë përgjigje konkrete: Me çfarë parash Nedim Rama bleu aksione në kompani të huaja gjatë mandatit të tij si drejtor? Sa ka investuar konkretisht në Mercedes-Benz Group AG? Nga cila llogari janë transferuar mjetet? Cili është burimi i kapitalit? A janë deklaruar këto investime në afatin ligjor?

Dhe a ka investime të tjera jashtë vendit që ende nuk janë bërë publike?”, thonë nga BDI.

VLEN U kundërpërgjigj duke i cilësuar akuzat si përpjekje për të krijuar aferë pa prova dhe duke theksuar se investimet e Nedim Ramës janë deklaruar publikisht në KSHPK dhe se për fitimet kapitale është paguar tatim. Nga VLEN thonë se nuk ka asnjë dëshmi që paratë për blerjen e aksioneve kanë ardhur nga NOMAGAS-i, buxheti i shtetit apo burime të paligjshme, duke shtuar se çdo transaksion është i verifikueshëm nga institucionet kompetente.

“Investimet në aksione janë bërë disa herë vitet e fundit, dhe vlera totale e raportuar e portofolit të tij është rreth 30.000 euro. Fakti që Nedim Rama personalisht në një dokument zyrtar dhe publik në të cilin çdo qytetar ka qasje, konform me ligjin, ka paraqitur të gjitha aktivitetet e tij financiare dhe jofinanciare, paraqet mohim të drejtpërdrejtë të aludimeve të BDI-së. Tregtimi i aksioneve në “Mercedes” ose kompani të tjera të tilla si “Novo Nordisk” dhe “SOFI Technologies”, është një aktivitet plotësisht i ligjshëm, i lejuar në përputhje me rregulloret në fuqi në vend”, theksojnë nga VLEN.

Në reagimin e saj, VLEN riktheu akuzat ndaj BDI-së për pasuritë dhe bizneset e lidhura me familjet e drejtuesve të saj, duke kërkuar përgjigje për origjinën e tyre dhe duke e akuzuar partinë se po shmang transparencën për këto çështje.