Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj përbërjes së delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Samitin e NATO-s në Ankara, duke akuzuar se në të nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar. Në komunikatë, BDI thotë se një përfaqësim i tillë nuk pasqyron karakterin multietnik të shtetit dhe se delegacionet shtetërore duhet të reflektojnë barazinë dhe Marrëveshjen e Ohrit.

“Përfaqësim pa shqiptarë nuk është përfaqësim i shtetit. Në Samitin e NATO-s në Turqi, Maqedonia e Veriut paraqitet me një delegacion pa asnjë përfaqësues shqiptar. Kjo është pasqyrë e një mentaliteti politik që e sheh shtetin si pronë të një etnie, ndërsa shqiptarët vetëm si dekor të brendshëm. Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe anëtare e NATO-s falë një arkitekture politike që ndërtohet mbi barazi, përfaqësim dhe Marrëveshjen e Ohrit”, thonë nga BDI.

Bekim Qoku nga VLEN thotë se shqiptarët janë pjesë e shumicës së delegacioneve shtetërore, por për rastin konkret thotë se nuk ka informacion për përbërjen e delegacionit. Sipas Qokut, përfaqësuesit shqiptarë të VLEN-it kanë qenë dhe do të jenë pjesë e proceseve dhe delegacioneve ku vlerësohet se duhet të marrin pjesë.

“Unë mendoj se shqiptarët në Qeveri, në shumë procese, janë pjesë e delegacioneve. Nuk kam informacion se pse delegacioni është me apo pa shqiptarë, por në përgjithësi, në çdo delegacion apo në shumicën e delegacioneve ku mendohet se një pjesëmarrës shqiptar i VLEN-it duhet të jetë pjesë, ka qenë dhe do të jetë. VLEN është në shumicën e proceseve ku merr pjesë delegacioni”, theksoi Bekim Qoku nga VLEN.

Maqedonia e Veriut në këtë samit përfaqësohet nga një delegacion i lartë shtetëror i udhëhequr nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme Timço Mucunski, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-majori Sashko Lafçiski.