Imrane Veliu kërkon transparencë dhe aktivizimin urgjent të një plani kombëtar për përballimin e situatës

BDI ka akuzuar Qeverinë për mungesë të përgatitjes dhe reagim të vonuar ndaj përhapjes së virusit të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë për media, Imrane Veliu tha se situata kërkon veprim të koordinuar dhe transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse informon Tetovasot.

Sipas saj, të dhënat e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregojnë se deri më 13 gusht 2026 në Evropë janë regjistruar 429 raste të virusit të fituara lokalisht, ndërsa 30 prej tyre në Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi se sipas të dhënave më të fundit vendore, numri i rasteve në vend ka vazhduar të rritet.

Veliu shtroi disa pyetje publike për Qeverinë, duke kërkuar të dijë nëse ka ekzistuar një plan paraprak për menaxhimin e situatës, kush ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen epidemiologjike dhe kontrollin e mushkonjave, si dhe cili institucion duhej të koordinonte reagimin kombëtar.

Ajo vlerësoi se virusi i Nilit Perëndimor nuk është një fenomen i panjohur dhe se institucionet shëndetësore kanë pasur kohë të mjaftueshme për të ndërtuar mekanizma parandalues.

Në emër të BDI-së, Veliu kërkoi:

hartimin dhe aktivizimin urgjent të Planit Kombëtar të Gatishmërisë dhe Përgjigjes ndaj virusit të Nilit Perëndimor;
përcaktimin e qartë të përgjegjësive të institucioneve shëndetësore, veterinare, mjedisore dhe pushtetit lokal;
krijimin e mekanizmit One Health për koordinimin e të dhënave epidemiologjike, veterinare dhe mjedisore;
mbikëqyrje sistematike të mushkonjave dhe kontroll të intensifikuar në zonat me rrezik;
miratimin e protokolleve të qarta klinike, laboratorike dhe transfuzive, si dhe një strategji të unifikuar për informimin e publikut.

Sipas saj, edhe komunat duhet të marrin një rol aktiv në identifikimin e zonave problematike, eliminimin e ujërave të ndenjura, kontrollin e mushkonjave dhe informimin e qytetarëve.

Në fund, Veliu kërkoi që Qeveria të sqarojë publikisht nëse ekziston një plan kombëtar për përballimin e virusit, kur është aktivizuar ai, cili institucion e udhëheq procesin dhe cilat masa konkrete po ndërmerren në zonat ku është evidentuar transmetimi aktiv i virusit.

“Qytetarët kanë nevojë për institucione që parashikojnë rrezikun, reagojnë në kohë dhe veprojnë para se situata të shndërrohet në krizë,” theksoi Veliu./Faktiditor.info/