Gazetare: Amila Rashiti
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen njoftoi një propozim të ri për mbrojtjen e fëmijëve nga rrjetet sociale. Sipas saj, fëmijët nën moshën 13 vjeç nuk duhet të jenë pjesë dhe të kenë qasje në asnjë rrjet social.
“ Asnjë rrjet social për personat nën moshën 13 vjeç. Asnjë llogari personale për personat nën moshën 15 vjeç. Kjo do të thotë se, nga mosha 13 deri nën 15 vjeç, do të lejohen vetëm mini-llogari të krijuara dhe të mbikëqyrura nga prindërit ose kujdestarët, me funksione të kufizuara dhe një kufizim kohor prej një ore në ditë. Ndërsa për moshat 15 deri në 18 vjeç, platformat do të kenë detyrimin të zbatojnë parimin e sigurisë që në dizajn. “tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.
Ajo gjithashtu shtoi se ky propizim bëhet për mbrojtjen e fëmijëve nga varësi, përmbajtje ekstreme apo edhe foto të krijuara që kanë përmbajtje seksuale të gjeneruara nga intelegjenca artificiale.
Ky propozim pritet të shqyrtohet dhe të negociohet në Parlamentin Evropian dhe shtetet anëtare të BE – së, megjithatë rregullat mund të ndryshojnë deri sa propozimi të hyjë në fuqi. Para këtij propozimi, Komisioni Evropian kishte mbledhur ekspertë për sigurinë e fëmijëve dhe kishte zhvilluar anketa në të gjithë BE-në. Një numër i madh i qytetarëve kanë mbështetur vendosjen e kufizimeve të moshës. Ndërsa pjesa tjetër thonë se ndalimi i llogarive nuk zgjidh problemin kryesor dhe se platformat duhet të ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë algoritmet dhe elementet që i bëjnë njerëzit të qëndrojnë më gjatë online. Me ekspansionin e rrjeteve sociale dhe qasjen e fëmijëve pa filtra në to, është shtuar ndjeshëm numri i abuzimeve seksuale, keqpërdorimeve të privatësisë dhe dhunës mes moshatarëve. / Alsat.mk
The post BE propozon kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç appeared first on Alsat.
