Etrit Berisha ishte një nga protagonistët e fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Finlandës, duke mbajtur të paprekur portën kuqezi me ndërhyrjet e tij vendimtare. Pas ndeshjes, përveç analizës së paraqitjes së skuadrës dhe pritjes që mund të ndryshonte rrjedhën e takimit, portieri veteran komentoi edhe mundësinë e afrimit të italianit Elia Caprile në kombëtare:
“Unë mendoj se çdo ndeshje ka historinë e vet. Po ashtu, edhe gabimet janë pjesë e lojës. Nuk është as i pari dhe as i fundit, besoj. Nuk jam i vetmi që bëj gabime të tilla. Me siguri ishte një rast që e kushtëzoi shumë ndeshjen. Gjithsesi, kjo është një histori tjetër. Duhet të fokusohemi vetëm te tri pikët, sepse ky është edhe qëllimi ynë; të kualifikohemi si të parët.
Mendoj se kemi vërtet cilësi. Është një përzierje e bukur mes lojtarëve me më shumë eksperiencë dhe lojtarëve të rinj, që po integrohen dhe po japin një kontribut jashtëzakonisht të mirë. Sot dua të veçoj edhe Hasën, i cili më pëlqeu shumë kur u aktivizua, sepse solli freski në lojë. Edhe të gjithë lojtarët e tjerë që u futën dhanë kontributin e tyre. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të luajmë edhe në klubet ku aktivizohemi. Kjo do të na japë një shtytje shumë të madhe edhe këtu. Duhet të jemi sa më mirë edhe fizikisht. Teknikisht mund të jemi një skuadër shumë e fortë, e aftë për të bërë gjëra të bukura.
Caprile? Mendoj se, për Shqipërinë dhe kombëtaren tonë, duhet t’u jepet përparësi lojtarëve shqiptarë ose, të paktën, atyre që kanë kontribuar në Shqipëri apo janë rritur këtu. Përndryshe, diçka do të thyhet… Kombëtarja nuk do ta ketë më atë vlerësim nëse fillon të marrë lojtarë nga jashtë. Nëse bëhet fjalë për lojtarë që kanë kontribuar në një mënyrë apo në një tjetër, që janë shqiptarë apo kanë prindër shqiptarë, atëherë është diçka ndryshe. Kjo çështje nxjerr në pah më shumë problemet e futbollit shqiptar sesa gjërat e tjera.
Pritja vendimtare? Ishte e rëndësishme, sepse ishim në një moment të vështirë dhe e dinim se kundërshtarët janë shumë të rrezikshëm në goditjet standarde. Na shënuan dy gola në ndeshjen e kaluar. Ishte një goditje dhe një situatë që mund të ndryshonte rrjedhën e lojës. Isha aty dhe më vjen mirë që kontribuova për ekipin. Duhet të vazhdojmë kështu.
Bjellorusia? Për ne është shumë e rëndësishme të përgatitemi sa më mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Gjithsesi, pa tifozë, ndoshta do të jetë një ndeshje e barabartë, por kjo nuk na kushtëzon të luajmë ndryshe apo të ndryshojmë mënyrën e lojës që dëshirojmë të bëjmë. Ne jemi të fokusuar te synimi për të dalë të parët dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”.
The post Berisha thumbon FSHF për Caprile: T’u jepet përparësi lojtarëve shqiptarë, kemi kualitet për gjëra të bukura appeared first on Telesport.
