Gazetar: Suad Bajrami
Epidemia në Gostivar ka hyrë në fazë qetësuese. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski tha se gjatë ditës së sotme është përgjysmuar numri i pacientëve me simptoma helmimi, krahasuar me ditët paraprake. Vijon procesi i analizave të ujit, por edhe klorimi i ujësjellësit.
“Sot kemi gjendje prej 80 pacientë të paraqitur që është ulje e dyfishtë prej numrave paraprakë dhe definitivsht jemi në trend zvogëlimi. Numri i përgjithshëm i të sëmurëve është rreth 4.000. Janë paraqitur deri 750 me paraqitje për sëmundje ngjitëse, ndërsa janë anketuar 490. Kështu që mund të themi se epidemia hyn në fazë qetësuese dhe fillon faza e analizës së plotë epidemiologjike për konstatimin e kronologjisë së ngjarjeve. Tanimë kemi informata të mjaftueshme nga ajo që është punuar nga epidemiologët në terren në Qendrën për Shëndet Publik Njësia Rajonale Gostivar, gjithsesi me mbështetje të Tetovës”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë derisa vazhdon ndalesa për përdorimin e ujit në Gostivar, qoftë edhe për nevoja teknike nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse paraprakisht paralajmëruan që të vazhdohet me respektimin e masave dhe rekomandimeve. Në të kundërtën ka rrezik që të paraqiten raste të inflamacionit të mëlçisë.
“Ne si Komision kemi alarmuar në kohë që të mos relaksohet sistemi shëndetësor se është e mundshme që përveç këtyre shkaktarëve të infeksioneve të zorrëve të kemi paraqitje edhe të Hepatit A, por të Hepatit E, për çka normalisht është informuar në kohë Ministria dhe të gjitha autoritetet shëndetësore në shtet”,
Sipas autoriteteve, te shumica e pacientëve të helmuar me ujë në Gostivar është gjetur prani e bakteres Astravirus dhe Shigjella. Nga Ministria sot theksuan se gjatë periudhës në vazhdim do të fillojë të bëhet edhe analiza dhe ndarja e pacientëve, që kanë probleme me infeksione të zorrëve si pasojë e helmimit nga uji dhe ata që kanë shqetësime të rregullta. Ndërkohë autoritetet hetuese vazhdojnë të mbledhin prova për incidentin që helmoi mijëra qytetarë. Deri tani, në cilësinë e të dyshuarve ndodhen në paraburgim tre udhëheqës të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Gostivarit “Komunalec”, pasi dyshohet të kenë vendosur pompa uji, të cilat kanë injektuar ujë të ndotur në ujësjellësin e Gostivarit./Alsat.mk.
The post Bie numri i pacientëve të paraqitur me simptoma helmimi në Gostivar appeared first on Alsat.
