Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap të ri për të kufizuar konkurrencën nga platformat e tregtisë online si Shein, Temu dhe AliExpress, duke vendosur tarifë prej 3 eurosh për importet me vlerë të ulët që vijnë nga jashtë bllokut dhe që deri tani hynin pa doganë.

Masat e reja, të cilat hyjnë në fuqi të mërkurën e 1 korrikut, parashikojnë që tarifa të aplikohet për çdo klasifikim doganor në një dërgesë. 

Një pako që përmban tre lloje të ndryshme produktesh mund të taksohet deri në 9 euro, ndërsa një dërgesë me produkte të njëjta, si veshje apo lodra, do të kushtojë 3 euro.

Vendimi godet sidomos platformat kineze të tregtisë elektronike, të cilat kanë përfituar për vite nga përjashtimet doganore për të ofruar çmime shumë të ulëta në tregun evropian, duke nxitur rritje të shpejtë të shitjeve dhe ankesa nga bizneset lokale dhe politikëbërësit.

Sipas të dhënave të BE-së, numri i pakove të e-commerce që hynë në bllok nën këtë përjashtim është rritur ndjeshëm, nga 1.4 miliardë në vitin 2022 në 5.8 miliardë në vitin 2025.

Ligjvënësi evropian Dirk Gotink ka deklaruar se rregullat e mëparshme i përkisnin një kohe tjetër tregtare, ndërsa sot janë tejkaluar nga zhvillimi i tregtisë online, veçanërisht nga Kina. 

Ai shtoi se përjashtimi doganor “është keqpërdorur në shkallë industriale” për të krijuar avantazh konkurrues ndaj bizneseve evropiane.

Ekspertët paralajmërojnë se masa e re mund të ndikojë edhe në tregtinë globale ajrore.

Masat e reja pritet të ndikojnë edhe në çmimet për konsumatorët, pasi platformat mund të kalojnë një pjesë të kostove shtesë te blerësit. AliExpressi ka njoftuar se çmimet do të shoqërohen me etiketën “përfshin doganat dhe TVSH-në”, ndërsa Amazoni tha se shumica e dërgesave të saj në BE tashmë realizohen nga magazinat brenda bllokut për të shmangur kostot shtesë.

Tarifa prej 3 eurosh është masë e përkohshme, e cila pritet të zëvendësohet me taksa të reja sipas kategorive të produkteve nga korriku i vitit 2028, kur pritet të fillojë funksionimi i Autoritetit të ri Doganor të BE-së.