Zvone Boban nuk ka qenë kurrë shumë diplomatik dhe nuk u përmbajt në intervistën për “Gazzetta dello Sport”, duke folur për kuqezinjtë: “Milani prej vitesh nuk bën gjëra që i përkasin Milanit, në asnjë drejtim. Nuk shoh hapa përpara, përveç guximit dhe dëshirës për të luajtur një futboll ofensiv. Vitin e kaluar humbi ndaj Cagliarit, sepse gjatë gjithë sezonit kishte luajtur një futboll mbrojtës. Në momentin e duhur nuk arriti ta dominonte ndeshjen.
Ramos u pagua me një çmim të ekzagjeruar, ndërsa, nga ana tjetër, lëviz mirë për golin dhe e sheh portën, por jemi larg cilësisë që ndryshon dimensionin. Përkundrazi, më emocionoi historia e Cissé, një djalosh që erdhi nga hiçi falë talentit.
Luka Modrić ka gjenialitet dhe gjenialiteti nuk zhduket me moshën. Me logjikën e tij, ai u paraprin situatave. Sigurisht, janë zgjedhje të jetës. Besoj se për të do të jetë e vështirë të luajë në sistemin e Amorim. Me Allegrin mbrohej nga dy mesfushorë dhe luante më poshtë, tani do të duhet të mbulojë 60 metra me një tjetër lojtar. Do të jetë e vështirë”.
Boban foli më pas edhe për kaosin veror të federatës italiane në zgjedhjen e drejtorit teknik dhe trajnerit të kombëtares:
“Kush gaboi? Varet se cilat ishin marrëveshjet dhe kush i ka tradhtuar ato. Sigurisht, jo Maldini. Pirlo si trajner nuk ka pasur suksese, por ai e di se çfarë do të thotë kombëtarja. Nuk është budalla dhe lojtarët tek ai shohin një gjeni të futbollit, pikërisht kjo nuk është kuptuar.
Një drejtues zgjedh dhe merr përgjegjësinë për zgjedhjet e tij. Në aspektin e ideve, jeni larg Europës dhe idesë së saj për shpejtësinë. Futbolli italian është pak ofensiv, gjithnjë e më fizik dhe më pak propozues. Në epokën pas Sacchi, 90% e skuadrave fituese kishin mbrojtje me 4 lojtarë dhe 2 lojtarë në krahë, ndërsa në Itali luhet një katenaço e modernizuar, me mbrojtje me tre lojtarë.
Iu takon klubeve të ndryshojnë rrugë, federata nuk mund ta imponojë këtë. Përjashtimi i vetëm është Como. Jam tifoz i projektit dhe i mënyrës se si Fàbregas po e stërvit skuadrën. Dhe pastaj është Baturina, një djalosh nga Dinamo Zagreb, si unë”.
The post Boban pa filtra: Milani nuk bën më gjëra që i përkasin Milanit, çmimi i Ramos është i ekzagjeruar appeared first on Telesport.
