Gerry Cardinale foli hapur për momentin e vështirë të Milanit, me kuqezinjtë që rrezikojnë të mbeten jashtë Champions-it. Pronari i klubit, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, mbrojti punën e bërë, por pranoi edhe gabimet: “Allegri dhe skuadra kanë bërë një punë shumë të mirë për pjesën më të madhe të sezonit. Tani jemi të përqendruar te fitimi i dy ndeshjeve të fundit. Ambienti është bërë i vështirë për shkak të polemikave dhe shumë gënjeshtrave”.

Cardinale reagoi edhe ndaj kritikave se mendon vetëm për paratë: “Është absurde. Në jetën dhe karrierën time kam fituar gjithmonë. Ideja që do të bëja diçka pa synimin për të qenë numri një dhe për të fituar vazhdimisht është qesharake”.

Më pas pranoi problemet në menaxhim: “Në tri sezonet e fundit kemi shpenzuar më shumë se çdo klub tjetër i Serie A në merkato. Ndoshta nuk i kemi shpenzuar në mënyrën më të mirë. I jap vetes notë më të lartë për paratë që kam investuar sesa për mënyrën si janë përdorur”.

Pronari kuqezi ishte i prerë edhe për drejtuesit: “Nëse nuk hyjmë në katërshen e parë, është dështim. Të gjithë duhet të presin rivlerësime. Do të rivlerësoj gjithçka dhe të gjithë gjatë verës”.

 

The post Cardinale: Paratë i kam investuar, por nuk janë shpenzuar mirë. Do t’i rivlerësoj të gjithë appeared first on Telesport.