Gazetar: Zekirija Haxhiu
Deputeti tanimë i pavarur Mile Cekov, në intervistë për Alsat radhiti arsyet pse vendosi të braktisë partinë ZNAM dhe shumicën parlamentare. Tjetër gjë premtuam në fushatë e tjetër gjë po veprojmë tha Cekov duke shtuar se nuk është mbështetur kur ka kërkuar llogari për politikat e partisë.
“Unë para zgjedhjeve isha dhe jam për rritje të pagës minimale dhe paga të denja për punëtorët mirëpo kolegët e ZNAM nuk më mbështetën. Gjithashtu edhe para zgjedhjeve edhe tani jam kundër hapjes së minierave të reja ndërsa kolegët e mbështetën ligjin për lëndë minerale. Para zgjedhjeve por edhe tani kërkoj transparencë në financa, gjegjësisht të publikohen kompanitë të cilat fituan të hollat shtetërore nga kredia hungareze por u hesht kjo”, deklaroi Mile Cekov – Deputet i pavarur.
Cekov gjithashtu përmend edhe luftën e pamjaftueshme kundër krimit e korrupsionit, gjë që e kishin premtuar në fushatë parazgjedhore.
“Si shembull do ta marr Artan Grubin i cili është në paraburgim shtëpiak e ne në fushatë premtuam shtet të drejtë dhe drejtësi jo selektive. Gjithashtu u zhduk çështja dhe nuk ka përgjegjësi për pesë tonët marijuanë, drejtësia për Koçanin është e ngadaltë. Vonojnë ligjet reformuese ku partneri më i madh i koalicionit VMRO-DPMNE kishte kritikë ndaj ministrit të drejtësisë dhe nga këtu sepse premtuam fuqishëm luftë kundër krimit dhe korrupsionit por pas dy viteve sistemi nuk zbaton drejtësinë”, tha Mile Cekov – Deputet i pavarur.
Gjithnjë kur ka kërkuar të propozojë ndryshime ligjore në Kuvend, siç thotë Cekov, përgjigja që ka marrë nga kryesia e partisë ka qenë se duhet të konsultohen me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE. Lëvizja ZNAM tani në Kuvend do të funksionojë me 5 deputetë./Alsat.mk.
The post Cekov: ZNAM u tjetërsua pas koalicionit dhe harroi premtimet parazgjedhore appeared first on Alsat.
