Tenisti rus Daniil Medvedev u skualifikua, duke i hapur rrugën Novak Djokovic për në finalen e turneut ATP 500 në Pekin. Ky ishte përfundimi tronditës i ndeshjes mes dy tenistëve në gjysmëfinalen e turneut, e cila u ndërpre kur rezultati ishte 7-5, 5-3 në favor të serbit.
Në shifrat 15-15 të lojës së nëntë në setin e dytë (ndërsa 39-vjeçari po shërbente për fitoren e ndeshjes), Medvedev, në një moment zemërimi, hodhi një top drejt tribunes. Ai goditi pa dashje një spektator në sy, duke e detyruar atë të largohej nga stadiumi.
I shoqëruar nga tre anëtarë të stafit, burri u largua nga arena duke mbajtur duart në fytyrë. Më pas, rusi u skualifikua nga gjyqtari i ndeshjes dhe mbikëqyrësi i turneut.
Incidenti të kujtonte atë që i ndodhi vetë Djokovic në turneun US Open të vitit 2020, kur “Nole” u skualifikua pasi goditi aksidentalisht në fyt një gjyqtar linje me top. Në finalen, Djokovic do të përballet me numrin 9 të botës, De Minaur.
“Më vjen jashtëzakonisht keq për spektatorin. Po përpiqem të vihem në kontakt me të, nëse ai e dëshiron këtë. Shpresoj ta takoj personalisht, t’i kërkoj falje dhe të shoh si është,” tha Daniil Medvedev i shqetësuar pas incidentit që çoi në skualifikimin e tij.
“Ishte 100% një aksident. Mund ta shihni që nuk e godita topin nga zemërimi. Unë bëj shumë gabime, por goditja apo përplasja e dhunshme e topit zakonisht nuk është pjesë e sjelljes sime”, shpjegoi lojtari nga Moska.
“Kur pashë se çfarë kishte ndodhur, u ndjeva tmerrësisht keq sepse, sinqerisht, nuk besoj se jam gjendur ndonjëherë në një situatë të tillë. Shpresoj që shikuesi të jetë mirë; kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse në situata të tilla, nuk i dihet kurrë,” shtoi ai.
The post Çmendet tenisti rus, godet me topin e lojës një tifoz dhe skualifikohet, Djokovic në finale appeared first on Telesport.
