Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka folur për mediat para ndeshjes së sotme që “3 luanët” do të luajnë në fushën e tyre ndaj Çekisë në Nations League. Kjo ndeshje vjen pas fitores së thellë 7-0 ndaj Kroacisë tri ditë më parë jashtë fushe.

“Ndjesia ime është paksa ndryshe sepse kemi një ditë më pak në dispozicion dhe kemi pasur edhe një udhëtim me avion ndërmjet ndeshjeve. Duhet të presim një paraqitje të ngjashme për sa i përket përulësisë, qëndrimit dhe intensitetit, si me topin ashtu edhe pa të“, tha Tuchel.

“Kush pret një tjetër fitore të thellë gabohet. Nuk duhet ta presim atë rezultat sepse kemi të bëjmë me një skenar tjetër. Çekia i shkaktoi shumë probleme Spanjës. Kemi parë një përmirësim të qartë te skuadra e tyre. Rezultatet nuk e pasqyrojnë plotësisht përmirësimin që kemi parë“, tha gjermani.

Më tej, Tuchel tha: “Nëse kemi pritshmëritë e duhura, duhet të presim të njëjtën gjë. Ajo që ndodhi, ndodhi dhe ishte shumë, shumë e mirë. Duam të ndikojmë në të njëjtin nivel në aspektet ku mund të ndërhyjmë. Na ka mbetur një ndeshje dhe shpresoj se do të mund ta mbyllim në atë nivel”.

“Te Çekia shohim elemente të stilit spanjoll. Nuk do të flas hapur për ndonjë dobësi. Ne përpiqemi gjithmonë të gjejmë hapësira kur analizojmë kundërshtarët, kërkojmë avantazhe për veten tonë, por skuadra çeke ka bërë shumë përparim. Kjo është sfida që na pret“, tha Tuchel.

“Duhet t’i përgatisim lojtarët që të mos e shohin renditjen apo rezultatet, por t’u tregojmë se sa përpjekje dhe presion të koordinuar duhen për ta fituar topin lart në fushë; ata nuk do të na e dhurojnë thjesht atë. Po përpiqemi të zbatojmë ide, ta thjeshtojmë lojën pasi nuk kemi shumë kohë së bashku dhe të shfrytëzojmë pikat tona të forta”, tha Tuchel.

The post Tuchel: Nuk ka më fitore 7-0, duhet të shfrytëzojmë euforinë për të vijuar serinë pozitive appeared first on Telesport.